Nga Msc. Berjana Molla – Logopediste pranë QSUT/
6 Marsi është Dita Europiane e Logopedisë ndaj gjej rastin që të ndaj me ju udhëtimin tim 13-vjeçar në këtë fushë shumë të rëndësishme për shoqërinë por edhe për të njohur sadopak secilin prej jush më të. Unë e nisa udhëtimin tim drejt Logopedisë në 2009, me ëndrrat e mëdha për të mbajtur veshur një bluzë të bardhë, një stetoskop në qafë dhe plot shiringa në xhep. Sapo vura këmbën në fakultet kuptova që po, stetoskopin mund ta përdor, por për të realizuar ushtrime të frymarrjes dhe shiringat gjithashtu për të bërë ushtrime bukofaciale. Logopedia mund të mos ishte ajo që ëndërroja “Shpëtimi i një jete”, por ishte më shumë: Fjala e cila na shpëton gjatë gjithë jetës.
Fjala, komunikimi janë ura lidhëse me këdo dhe kudo. Më pas vazhdova udhëtimin më tej… Dhe kuptova që nuk kish gëzim më të madh se të dëgjoja fjalët e para nga një fëmijë tek i cili fjala e parë kishte vonuar dhe prindërit po i trembeshin atij të ‘’flamosuri’’ autizëm. Siç s’kishte gëzim më të madh professional e njerëzor kur një i rritur me belbëzim falë treapisë logopedike kishte mundësi që ta menaxhonte atë dhe të nesërmen hynte në auditor me kokën lart. Gjithashtu dhe kur një 5-6 vjecar që kishte vështirësi në shqiptimin e disa shkronjave ( dhe në kopësht apo në shkollë kishte nisur bullizimi), arrinte ta perfeksiononte dhe ta vinte në vend shqiptimin pas disa seancave terapie, sa që s’të besohej që kishe përpara të njëjtin fëmijë.
Gjatë udhëtimit tim të gjatë kuptova që ekzistonte një mrekulli edhe më e madhe. Një aparat i vogël që në momentin që vendosej në veshin e fëmijës që nuk degjon, moment dhe emocion që nuk arrij ta përshkruaj dot me fjalë, bënte të mundur që ky fëmijë të dëgjonte për hërë të parë zërin e nënës, tingujt e parë, fjalët e para. Tinguj dhe fjalë të cilave do ju mundësohej interpretimi nëpërmjet rehabilitimit logopedik. Gjatë trajnimit në Vienë pashë rastet dhe trajtimin që bëhej atje dhe për pak muaj, kjo ndërhyrje e më pas rehabilitimi logopedik ndodhi edhe në QSUT, saktësisht në Spitalin Francez.
Por jo vetëm fëmijët! Logopedia fillon më fëmijët dhe mbaron më moshat e rrritura, sepse është një shkencë e cila shoqëron njeriun gjatë gjithë jetës, çdo fashë moshe. Them kështu sepse kam pasur pacientë mbi 60 vjeç ku mbi supet e tyre rëndon eksperienca e një jete, por që papritmas Afazia i detyron të kërkojnë ndihmën e një logopedi që të mund të hyjnë në bisedë me miqtë e tyre si dikur.
Por ka edhe një problem të cilin doja ta prekja pikërisht sot në ditën e Logopedisë. Me kalimin e viteve kur dhe teknologjia avancoi logopedia filloi të njihet edhe më shumë, tanimë online ne arrijmë të lexojmë dhe lundrojmë në rrjetet sociale për të mësuar më shumë informacion, këshilla, ushtrime rreth saj. Por, ende ndesh herë-herë termin “problem”, ‘j’u trajtoni fëmijë me probleme’, ‘ky zotëria është me probleme që vjen këtu’, ‘a ka fëmijë më problem këtu etj’…
JO! Duhet ta kuptojnë të gjithë ata që kanë pak informacion ose informacion të gabuar që Logopedisti trajton vështirësitë gjuhësore tek fëmijët dhe adultët (siç edhe e tregova modestisht shkurt më lart në një kronologji të karrierës time) dhe të gjithë këto diagnoza nuk quhen ‘me probleme’. Nuk ka njerëz me probleme.