Në një telefonatë mes kancelarit gjerman, Olaf Scholz, presidentit francez, Emmanuel Macron dhe atij rus, Vladimir Putin, Gjermania dhe Franca i kërkuan presidentit rus një armëpushim të menjëhershëm, sipas burimeve qeveritare gjermane.

”Scholz dhe Macron këmbëngulën në faktin që zgjidhja e krizës duhet të vijë nga negociatat mes Ukrainës dhe Rusisë”, shtuan këto burime.

”Tre liderët vendosën gjithashtu të bisedojnë sërish në ditët në vijim”, theksuan ato. ”Lufta në Ukrainë dhe hapat e ardhshëm në lidhje me të do të diskutohen sonte mes krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian, në kuadër të Samitit të Versajës”, tha nga ana e tij pallati presidencial francez, Elysee.