Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kanë rënë dakord për të ndaluar programin bërthamor të Iranit, pavarësisht mosmarrëveshjeve rreth një pakti që po negociohet në Vjenë, deklaroi sot në Jerusalem sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken. Blinken mbërriti sot në Izrael përpara një takimi me të dërguarit kryesorë nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Bahreini, Maroku dhe Egjipti. Në Jerusalem, Blinken u takua fillimisht me homologun e tij izraelit Yair Lapid, i cili gjithashtu do të marrë pjesë në diskutimin e nivelit të lartë më vonë gjatë ditës.
Bisedimet indirekte mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’iu rikthyer marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 thuhet se është në fazën përfundimtare. Ish-presidenti amerikan Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore me Iranin, por pasardhësi i tij Joe Biden e ka rikthyer çështjen në tavolinën e bisedimeve. Lapid pranoi se Izraeli është i shqetësuar në lidhje me heqjen e kushteve.
“Ne kemi mosmarrëveshje për paktin bërthamor dhe pasojat e saj, por dialogu i hapur dhe i sinqertë është pjesë e forcës së miqësisë sonë”, u tha Lapid gazetarëve ndërsa qëndronte pranë Blinken.
“Izraeli do të bëjë çdo gjë që ne e konsiderojmë të nevojshme për të ndaluar programin bërthamor të Iranit”, tha zëvendëskryeministri izraelit dhe ministri i Punëve të Jashtme, Lapid.
“Kur bëhet fjalë për elementin më të rëndësishëm, ne jemi dakord. Ne jemi të përkushtuar dhe të vendosur që Irani nuk do të ketë kurrë një armë bërthamore”, tha Blinken.
Blinken tha se “mënyra më e mirë” për të parandaluar që kjo të ndodhte ishte që SHBA-ja dhe Irani t’i rikthehen Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit të nënshkruar në 2015.