Nga Eduard Zaloshnja
Të premten zhvillova një sondazh me SMS rreth rritjes së çmimeve dhe protestave ndaj tyre (https://dritare.net/ngjarjet-e-dites/qytetaret-ndryshojne-qendrim-per-protestat-ja-sondazhi-i720726 ). Ai sondazh tregonte një ndryshim dramatik të opinionit të shqiptarëve të thjeshtë brenda një jave – të premten plot 49% e shqiptarëve fajësuan më shumë luftën në Ukraninë se sa qeverinë për çmimet, krahasur me vetëm 30% para një jave; plot 45% i quajtën protestat partiake, nga vetëm 36% para një jave.
Dhe ai ndryshim dramatik në opinionin e shqiptarëve të thjeshtë u pasqyrua në pjesëmarrjen e protestuesve sot para kryeministrisë – ishte sa çereku i një jave më parë.
Po çfarë i bëri shqiptarët e thjeshtë të ndërrojnë opinion në mënyrë masive?
Gjatë një jave Kryeministri Rama ka krijuar dy borde monitorimi për çmimet e karburantev edhe ushqimeve, ka shpallur një paketë masash ndihmuese për familjet në nevojë, ka zhvilluar dhjetra takime reale nëpër Shqipëri e virtuale në Facebook, ndërkohë që ka shpërndarë minister e tij nëpër emisionet televizive për të trumbetuar masat e qeverisë.
Një manovër të ngjashme bëri Rama pas shpërthimit spontan të protestave kundër ardhjes së armëve kimike siriane për asgjesim këtu, apo pas protestave të studentëve kundër pagesave për provimet e prapambetura.
Në çdo rast, ai u ka dhënë protestuesve mirëfilli spontanë disa nga gjërat që kërkojnë, duke lënë ta vazhdojnë protestën militantë e delirantë. Me fjalë të tjera, shiringat kryeministrore i kanë shfryrë tullumbacet protestore…