Bashkia e Tiranës njofton se ka nisur disbursimin e subvencionit për transportin publik në kryeqytet. Sipas Bashkisë, për muajin Janar 2022, shoqatat e transportit marrin në total 120 mijë euro, ndërkohë që pagesat do të bëhen çdo muaj në bazë të skemës së subvencionimit. Në njoftim thuhet se shuma totale e subvencionit e miratuar si paketë ndihme për operatorët e transportit publik është 1 milionë euro.

Bashkia njofton se kjo është hera e parë që transporti publik subvencionohet përmes një pakete prej 1 milion eurosh me qëllim përballimin e situatës, por dhe përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve. Subvencionimi 1 milion euro do të mbulojë periudhën përgjatë gjithë vitit 2022.

Kujtojmë që një ditë më parë, Shoqata e Transportit kërkoi të rritet çmimi i biletës në 80 lekë nga 40 lekë që është aktualisht, ndërsa kanë shkurtuar edhe numrin e autobusëve që nxjerrin çdo ditë në qarkullim. Kjo ka ardhur, sipas tyre, pasi nuk i është ofruar asnjë ndihmë nga autoritetet përgjegjëse.