Pas miqësores me Spanjën, Kombëtarja shqiptare ka vijuar përgatitjet për sfidën e dytë ndaj Gjeorgjisë. Kuqezinjtë kanë zhvilluar një seancë të lehtë në qendrën stërvitore të klubit Espanjol në Barcelonë. Lojtarët janë ndarë në dy grupe, teksa ata që u aktivizuan titullarë me Spanjën zhvilluan vetëm disa ushtrime fizike dhe pa top.
Ndërsa lojtarët që nuk u aktivizuan apo hynë në fushë si zëvendësues bënë stërvitje më të ngarkuar dhe taktike.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se në këtë seancë stërvitore nuk mori pjesë mesfushori Keidi Bare, i cili ka pasur një tërheqje muskulore pas ndeshjes.
Futbollisti kuqezi ka qenë në monitorim të vazhdueshëm dhe pas konsultimit me stafin mjekësor, u vendos që të mos jetë me skuadrën ndaj Gjeorgjisë.
Lojtari do të kthehet te klubi i tij në Spanjë për të vazhduar rikuperimin.
Gjithashtu, në këtë seancë stërvitore nuk mori pjesë as mbrojtësi Ivan Balliu, i cili do të mungojë në miqësoren ndaj Gjeorgjisë.