Shtëpia e Bardhë beson se lëvizja e trupave ruse nga rajoni i Kiev-it drejt Bjellorusisë është një rishpërndarje, jo një tërheqje. Kjo ishte deklarata e drejtoreshës së komunikimit të Shtëpisë së Bardhë, Kate Bedingfield.

“Ne besojmë se çdo lëvizje e trupave nga periferitë e Kiev-it është një rishpërndarje dhe jo një tërheqje. Dhe bota duhet të jetë gati për një ofensivë të madhe në pjesë të tjera të Ukrainës”, cilësoi drejtoresha. Sipas saj, të gjithë duhet të presin në vazhdim sulme të tjera në Ukrainë. Në veçanti, zyrtarja amerikane vuri në dukje se është e nevojshme të monitorohet situata dhe të zbulohet nëse veprimet e Rusisë korrespondojnë me fjalët e autoriteteve.

“Unë mendoj se duhet të jemi largpamës në lidhje me atë që po ndodh realisht në terren dhe askush nuk duhet të mashtrohet nga njoftimet e Rusisë”, theksoi Bedingfield. Më herët, udhëheqja e Forcave të Armatosura të Ukrainës sugjeruan se trupat ruse po krijojnë një iluzion të rremë sikur po braktisin planin për të rrethuar Kiev-in.