Sindikata e fermerëve në Britaninë e Madhe është alarmuar për shkak se qeveria nuk ka marr ende masa për rritjen e çmimeve të ushqimeve në vend, si pasojë e luftës në Ukrainë.

BBC raporton se Sindikata e fermerëve paralajmëron për një rritje të çmimeve dhe i ka dërguar një letër qeverisë britanike, ku i kërkon të ndërhyjë sa më shpejtë.

Sipas tyre, rreth 30% e grurit në botë vjen nga Ukraina e Rusia dhe eksportet do të ndalen gjatë konfliktit dhe përveç kësaj, është rritur edhe çmimi i gazit, i cili përdoret për ngrohjen e serave dhe për prodhimin e plehrave.

Në letrën e dërguar qeverisë së Britanisë së Madhe, sindikata i kërkon të veprojë urgjentisht për të ndihmuar fermerët, për prodhimin e ushqimeve të mjaftueshme që dyqanet në vend të mos ngelin asnjëherë bosh.

Në këtë letër drejtuar qeverisë, gjithashtu paralajmërohet se kjo ndërprerje në prodhimin e ushqimit, zinxhirin e furnizimit dhe disponueshmërisë së ushqimit nëpër dyqane, mund të zgjasë me vite.

Në fillim të kësaj jave, shefi i një prej kompanive më të mëdha të plehrave në botë, Yara International, paralajmëroi se lufta në Ukrainë do të shkaktonte një goditje në furnizimin global dhe koston e ushqimit.

Presidentja e Sindikatës së fermerëve, Minette Batters tha për BBC-në se: “Unë mendoj se e gjithë bota duhet të kuptojë se kjo nuk është diçka me të cilën jemi përballur më parë, ne do të shohim nivele të inflacionit të çmimit të grurit që nuk kanë ndodhur kurrë.”

Ajo shtoi se: “Rreziku i vërtetë është zmbrapsja e fermerëve, të cilët duhet të shpenzojnë më shumë për rritjen e prodhimin e frutave, perimeve dhe mishit, për këtë arsye ata vendosin të mos investojnë, frenohen nga mbjellja dhe si pasojë prodhohet më pak ushqim, në një kohë kur në vend nevojitet më shumë prodhimi”./Lexo.al Marrë nga https://www.bbc.com/news/business-60691116