Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i dorëzoi sot “Çelësin e Tiranës” kreut të Delegacionit të Bashkimit Europian, Luigi Soreca, i cili pas 4 viteve shërbim në vendin tonë, do të marrë një pozicion të ri të në Bruksel. Në pritjen e organizuar me këtë rast, kryebashkiaku Veliaj i shprehu mirënjohjen ambasadorit Soreca për kontributin e dhënë për afrimin e Shqipërisë me familjen evropiane.
“Jam shumë i lumtur që, në emër të qytetit të Tiranës, në emër të Këshillit Bashkiak, ju dhuroj “Çelësin e Tiranës” – një simbolikë për dikë të cilin ne e quajmë si ‘të shtëpisë’. Shumë të rinj, që sot lëvizin lirshëm në Europë, nuk e dinë se ju keni qenë një nga kontribuesit kryesorë të lëvizjes pa viza. Jam i bindur se edhe në punën tuaj të ardhshme, do të jeni një mik i këtij qyteti, në të cilin do të gjeni gjithmonë një derë të hapur”, tha Veliaj. Ambasadori Soreca u shpreh se Tirana është shtëpia e tij e dytë.
“Në Shqipëri kam mësuar se Europa është këtu. Europa është këtu sepse këtu është Europa! E besoj këtë shprehje sepse besoj se në të ardhmen vendi do të bëjë hapa më të mëdha drejt progresit. Besoj se si në çdo qytet evropian, Tirana do të jetë motori i zhvillimit të të gjithë vendit. Unë do të kthehem pikërisht në këtë qytet si turist, për të mos thënë si qytetar i këtij qyteti, dhe teksa do të jem duke ecur nëpër rrugët e tij, shpresoj që njerëzit të më thonë: “Mirëmëngjes Luigi”. Këtë çelës do ta mbaj në zyrën time në Bruksel”, tha Soreca.
Veliaj u shpreh se nëse sfidat do kthehen në mundësi, Shqipëria dhe Tirana do të jenë më evropiane.
“Dëshira jonë është që të hynim në BE jo sot, jo nesër, por dje. Por, nëse realiteti është ky që është, atëherë na duhet të punojmë të ndërtojmë një copë të Europës këtu, dhe nëse sfidat i kthejmë në mundësi, unë besoj se mund ta bëjmë Shqipërinë dhe Tiranën sidomos më europiane, jo vetëm si kryeqyteti Europian i Rinisë. Më kujtohen vende si Hollanda, Danimarka, të cilat nuk lindën progresiste. Shpresoj shumë që edhe në Tiranë do të mësojmë të përshtatemi, do të mësojmë të përdorim më shumë energji solare. Nëse ndërtojmë një copë Europe këtu, atëherë do ia kemi dalë me sukses misionit”, deklaroi ai
Veliaj deklaroi se Tirana është gati të presë refugjatë nga Ukraina, dhe ftoi edhe qytetet e tjera evropiane që në këto momente solidariteti, të mbajnë peshën e tyre.
“Ne jemi sot Kryeqyteti Europian i Rinisë, jemi përfitues të fondeve IPA, por duhet të kemi edhe përgjegjësinë e solidaritetit. Sot solidariteti merr kuptime të ndryshme. Duke filluar nga nesër, do të kemi një kontingjent të nënave ukrainase që do të vijnë me fëmijët e tyre në Tiranë. Edhe nëse kontributi ynë është modest, kontributi që pritet që të jepni ju, si i dërguar special për çështjet e emigracionit, është i jashtëzakonshëm. Ndoshta në llogaritë e misionit tuaj të ri, do të jetë edhe Shqipëria modeste, edhe Tirana jonë modeste. Ne kemi lëshuar një sfidë për të gjitha qytetet e Europës: sikur secili prej qyteteve të angazhohej të priste deri në 1% të popullsisë së tij refugjatë nga ukraina – pra, nëse Tirana ka 1 milion banorë, mikpritja tiranase të ishte deri në 10 mijë ukrainas. Nëse çdo qytet ofrohet dhe janë të hapur për këtë numër, barra shpërndahet”, theksoi Veliaj.
Pozicioni i ri vjen si një vlerësim për punën e ambasadorit Soreca në Shqipëri, si Shef i Delegacionit të Bashkimit Evropian që nga shtatori 2018 dhe bazohet në përvojën e tij shumëvjeçare në çështjet e migracionit dhe sigurisë.