Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali replikoi sot në Kuvend me Sali Berishën, i shpallur tanimë nongrata nga SHBA.
Spiropali theksoi se i larguar nga perëndimi është Sali Berisha e jo Shqipëria që sot gjendet më afër se kurrë me aleatët perëndimorë. Foltorja sipas saj është e vetmja që proteston kundër krizës që shkaktoi regjimi i Putinit.
Elisa Spiropali: Sali gjuha shkon ku dhemb dhëmbi, por dhëmbët e tu shkojnë ku i dikton frika. Fole për padrejtësi se ka mbaruar koha e drejtësisë tënde Sali. Ka mbaruar koha e sulltanatit tënd Sali.
Ka mbaruar koha e gjyqtarëve dhe e prokurorëve që i nxirrje nga hiçi në krye të vendit për të të mbrojtur ty, aleatët e tu, miqtë e tu dhe familjen tënde. Përmende largimin e Shqipërisë nga Perëndimi, sigurisht që Perëndimi të ka larguar ty, por nuk ka asnjë lidhje kjo me Shqipërinë dhe largimin e saj.
Të duket se të kanë bërë hasha ty dhe se SHBA dhe Perëndimi janë larguar nga Shqipëria. Jemi më afër se kurrë. S’doja ta rëndoja se ishte i lumtur sot pas zgjedhjeve të 6 marsit.
T’ia lëmë këtë lumturi të shkurtër të pakicës së pakicës, t’iu kthehemi shqiptarëve, paketës së rezistencës sociale që adreson të gjitha çështjet. Sigurisht që nëse në protestë nuk del të flasësh shqiptarisht, por flet putinësisht, patjetër që do të duket sikur kjo është qeveria e regjimit. Nuk ka protestë në botë, përveç asaj që nxitet nga foltorja dhe non-gratat.
Spirolali theksoi gjithashtu se: Sali siç e thotë rregullorja e Parlamentit, koha për ty ka përfunduar, por këtë e ka thënë qytetarët përpara Parlamenti, koha jote ka mbaruar por ti vazhdon flet këtu, i flet vetes për të larguar frikën si ai që bërtet në pyll. Ti flet për integrimin dhe perëndimin por ti je në thelbin tënd lindori më i madh shqiptar. Ti je përçarësi më i madh i shqiptarëve, je sovjetiku i fundit në këtë vend. Dhe ti nuk lë rast, nuk lë luftë, nuk lë pandemi, nuk lë vdekje e fatkeqësi natyrore pa përdorur për veten tënde, për aksionin tënd politik. Flet për kufoma sepse sërish të shkon gjuha aty ku të dhemb dhëmbi. Atë ke bërë gjatë rrugëtimit tënd politik, nuk ke pyetur as për kufoma për pushtetin tënd dhe sot vjen flet për viktimat e COVID-it dhe të luftës e të fatkeqësive natyrore. Ky është turp, por një turp që duhet ta mbash se nuk janë vetëm mandatet që të vijnë përtej detit. Por edhe mandatet që të vijnë nga shqiptarët ato që ta kanë përcaktuar vendin. Nuk mjafton që ke mundur Lulin, e që ke mundur lulet e tjera këtu sepse sërish ke shkallmuar partinë tënde dhe je pakicë e pakicës.
Ministrja gjithashtu deklaroi se: Sali, nuk do gjesh në xhepat e mi, jo 5, jo dy milionë, jo një por asnjë cent në xhepat e mi të shqiptarëve nuk do gjesh, jo ti, po asnjë tjetër aty. Unë jam serbes dhe flas këtu dhe nuk më dridhet qerpiku që të merrem me ty as me këdo tjetër që i keni ngritur vetes idhuj të rremë. Në duart e mia Sali nuk do të gjesh as gjak, siç gjen në duart e tua apo të bashkëpunëtorëve të tu, e të ish-ministrave të tu. Gjakun e atyre viktimave e keni të përbashkët. Nuk do gjesh në këtë rresht të ministrave asnjë që i ka një borxh këtij vendi, as viktima e as kufoma. Ato rëndojnë në ndërgjegjen tënde. Mund të lexoja këtu edhe mandatën përfundimtare që ke marr. Ti këtu në këtë foltore, si minues i demokracisë, si i korruptuari më i madh, si i vetmi i shpallur në Ballkan për këtë akt, e ke marrë përgjigjen. Këtu nuk na flet ne, por i flet vetes për t’i dhënë zemër vetes tënde, dhe as për të qeshur nuk na bënë dot më se dikur ia dilje më parë. Po kjo, ne qeshim se nuk qajmë dot për faktin që ti sot në 2022-in ke shkatërruar partinë tënde dhe kërkon të shkatërrosh partinë, por nuk ia del dot sepse koha jote ka përfunduar.