Shqipëria luan këtë fundjavë ndaj Spanjës një ndeshje miqësore që shërben më shumë për të përgatitur duelet e Ligës së Kombeve që luhen në qershor. Një mundësi e mirë për trajnerin Reja që të eksperimentojë me të rinjtë, ashti siç ka bërë në fakt edhe në anën tjetër Luis Enrike duke afruar shumë të tillë në skuadër.

Rezulton se 26 lojtarët e grumbulluar nga Edi Reja kanë luajtur më shumë ndeshje me kombëtaren sesa 23 futbollistët e ftuar nga Luis Enrike për këtë duel. Lojtarët e përfaqësueses shqiptare, së bashku regjistrojnë 578 ndeshje të luajtura, me Etrit Berishën që ka luajtur 70 sfida.

Ndërkohë, në anën tjetër janë vetëm 442 ndeshje ndërkombëtare të luajtura nga spanjollët, me Zhordi Alba i cili ka regjistruar 80 të tilla. Mbrojtësi i Spanjës rezulton të jetë një nga “golashënuesit” e përfaqësueses së tij me 8 rrjeta të tundura, ndërsa në total iberikët vijnë para ndeshjes me kuqezinjtë me 58 gola të shënuar. Listën e kryeson Morata i cili ka shënuar 23 të tillë dhe në përbërje nuk ka asnjë lojtar që i ka shënuar Shqipërisë në duelet e mëparshme.

Ndërsa Shqipëria përgjigjet me 44 gola të shpërndarë mes futbollistëve të saj, ku vetëm, Çikalleshi ka shënuar më shumë se Alba, 12 gola.