Prestige vazhdon serinë e fitoreve në Sunday League. Një herë kampionët e SLA-së kanë triumfuar në kryendeshjen e javës së 16-të kundër Dajtit me rezultatin 3-1. Shima, Vasha dhe Karati ishin protagonistët e golave për Prestige, që merr kështu suksesin e radhës në kompeticionin e futbollit me 9 lojtarë.

Por më shumë se 3 pikët, ky sukses vlen shumë edhe për aspektin moral, pasi vinte kundër një ekipi pretendent, ndërsa Prestige tregon se mbetet pa diskutim skuadra për t’u mundur në këtë kompeticion.

NDESHJA – Ashtu sikurse pritej, përballja startoi me luftë të fortë nga të dyja kampet. Por Prestige edhe një herë tjetër tregoi që është një ekip ekspert për të tilla takime, duke mos e humbur për asnjë moment kthjelltësinë dhe duke qëndruar i organizuar më së miri për çdo situatë që të ofron loja. Në të 8- ën Shima provon me një goditje standarde në afërsi të zonës, por pret portieri kundërshtar.

Në të 11-ën, Dajti ka një mundësi të artë pas një kundërsulmi, artë pas një kundërsulmi, me topin që qeth shtyllën pingule, ndërsa Prestige proteston për një faull. Hysenbelliu provon me një faull në pozicion të prirët, por pret në dy kohë portieri i Dajtit. Më pas loja shoqërohet me ndalesa të shumta.

5 minuta nga fundi i pjesës së parë, Shima në një situatë presingu detyron portierin kundërshtar të gabojë dhe më pas e përshëndet duke ia dërguar sferën në rrjetë për t’i dhënë avantazhin Prestige. Në pjesë e dytë menjëherë protagonist bëhet portieri Cara për Prestige, që shpëton portën me një ndërhyrje vendimtare.

Ndërsa në të 34- ën Vasha finalizon më së miri pas një depërtimi fantastik të Karatit nga e majta. Katër minuta nga fundi Dajti rihap takimin, duke ngushtuar në 2-1. Por në kohën shtesë, vjen goditja e nokautit nga Prestige.

Vasha i rrëmben një top kundërshtarit, duke e kaluar për Shimën. Ky i fundit menjëherë vertikalizon për Karatin që nuk fal para porte duke vulosur fitoren 3-1 për Prestige, për të mbyllur në mënyrën më të mirë një ndeshje të shkëlqyer në aspektin personal.

Kështu, Prestige vijon të regjistrojë fitore dhe të thellojë rekordin e jashtëzakonshëm, ku prej tri sezonesh nuk njeh humbje me kohë të rregullt apo shtesa, që prej krijimit të kompeticionit Sunday League.