Artikuluesi më i zëshëm i të ashtuquajturës “botë serbe”, Aleksandër Vulin, ka vazhduar me narrativën e tij fashiste gjatë fushatës zgjedhore, teksa ka vijuar të viktimizohet “për serbët e rrezikuar në rajon”.
Vulin tha se misioni i tij politik është “krijimi i botës serbe” dhe “bashkimi i tyre kudo që ata janë”.
“Kurrë nuk ka pasur Serbi të Madhe, ku ka qenë fati të jetë, por Hitleri krijoi Shqipërinë e Madhe. Të gjithë popujt kanë aspirata të natyrshme për t’u bashkuar, vetëm serbët nuk bën”, tha Vulin transmeton “Nova”.
Ai gjithashtu akuzoi liderët rajonal si Presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviç dhe Anëtarin kroat të Presidencës së Bosnës dhe Hercegovinës, Zheljko Komshiç, për të cilët tha se “po pështyejnë mbi bukën e Serbisë”.
“Komshiç dhe Gjukanoviç pështyejnë mbi dy kafshata të bukës serbe. Kur kanë nevojë për gjithçka, prej vaksinave kundër koronavirusit dhe bukës, atëherë i drejtohen Serbisë, ndërsa Mali i Zi dhe BeH nuk hynë në Open Balkan sepse, siç thonë, është projekti i Serbisë së Madhe të Vuçiçit”, tha ai.
Ai madje mohoi krimet e luftës dhe pushtimin rus të Ukrainës.
“Të gjithë që urrejnë Rusinë nuk e duan as Serbinë. Gjithçka që u bëjnë fëmijëve rusë, nesër do t’ua bëjnë fëmijëve serbë”, vazhdoi të thotë ky ish-zëdhënës i partisë së gruas së Sllobodan Millosheviçit.
Zheljko Komshiç ditë më parë në një intervistë për “RadioSarajevo” komentoi dekalratat fashiste të Aleksandër Vulin, për të cilin tha se “Vulinin e shoh si dikush që thotë atë që Aleksandër Vuçiç nuk mund ta thotë me gojën e tij”.