Ashtu si çdo vit, edhe këtë herë mbrëmja e së shtunës së fundit të Marsit i kushtohet shtëpisë tonë të përbashkët, Tokës.
Së bashku me mbi 3 miliardë njerëz dhe mijëra qytete të tjera në botë, “Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022”, Kongresi Rinor Kombëtar dhe Bashkia e Tiranës i bashkohet lëvizjes për Planetin Tokë, për të ardhmen tonë. Këtë vit, Ora e Tokës vjen në një kohë kritike për njerëzit dhe një vend të lirë si Ukraina. Ndaj të shtunën në orën 20:30 merrni miqtë dhe të afërmit tuaj dhe mblidhuni në “Sheshin Skënderbej” në shenjë solidariteti për paqe në planetin Tokë në këtë periudhë të vështirë.
Të rinjtë do krijojnë në shesh flamurin e Ukrainës me mbi 60 qirinj dhe me mbishkrimin “Peace for Ukraine”. Por jo vetëm kaq, në shesh do të zhvillohen aktivitete të ndryshme që mund t’i shijoni me miqtë tuaj. Nisma “Earth Hour” e ka zanafillën në 2007 në Sidnei dhe u propozua nga “World Wilde Life Fund”. Dhjetëra kryeqytete të botës iu bashkuan projektit duke fikur për një orë dritat në zyrat qeveritare apo pikat turistike dhe simbolet shtetërore.