Nga Namir Lapardhaja/
Tomorr Alizoti i dha fund qëndrimeve të tij pa qëndrim dhe pa ngjyrë politike, kur deklaroi në një emision televiziv se qenka marrëzi ankimimi i një vendimi, pasi partia na është një bashkim vullnetar.
Ky pinjoll i familjes me emer të madh, që karrierën politike e ka dhuratë nga mbiemri, harroi për një moment që në politikë përmbajtja dhe jo forma populiste, integriteti dhe jo zvarritja, janë cilesitë që i japin nder emrit dhe mbiemrit.
Z. Alizoti, mbështetës publik i z. Basha kur ai u rizgjodh vitin e shkuar pas humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit, sot merr flamurin e shpalljes legjitim të Berishës, pa thënë asgjë se çfarë mendon ai realisht, edhe si zëvendëskryetar i Komisionit të Jashtëm për shpalljen “Non grata” të ish-Kryeministrit Berisha.
Me qëndrimet e tij as mish as peshk, sot më në fund e gjeti veten tek Foltorja, më tepër nga frika se sa nga e drejta.
Me gjasë, Berisha do ta përfillë aq sa Aldo Bumçin, por ky është dhe trajtimi i merituar për dikë që çdo gjë në politikë e ka dhuratë nga familja ose miqtë që e mbeshtetën në fillim.
Ai bashkë me shumë nga ata që pas 9 shtatorit sulmuan me çdo epitet ekstrem e banal Bashën, sot duartrokitën dhunimin e institucionit, të cilët treguan se PD-në nuk e duan për demokratët, por për dëshirat e tyre të vogla dhe për ëndrrat me kryetar partie.
Ndoshta realpolitikën Alizoti e ngatërron me futbollin, ku është e rëndësishme të gënjesh për të bërë gol, të cilin, në fakt, ai s’ka për ta bërë dot kurrë as me Berishën dhe as me atë që Berisha do caktojë sërish si pasardhës.