Pushtimi rus i Ukrainës “vë në rrezik sigurinë globale të ushqimit”. Kështu deklaroi Fondi Monetar Ndërkombëtar, në një raport paraprak për Ukrainën.
Për shkak të bllokimit të eksporteve të produkteve bujqësore nga Ukraina dhe Rusia, në fakt, lufta po shkakton tashmë një rritje të mprehtë të çmimeve, me pasoja për vendet më të varfra.

“Lufta në Ukrainë do të thotë zi buke në Afrikë,” tha drejtoresha e përgjithshme e FMN-së Kristalina Georgieva. Fondi Monetar Ndërkombëtar vuri alarmin po ashtu se në Ukrainë pritet recesion i thellë dhe kosto të mëdha rindërtimi.

Sipas tyre Kievi po përballet me një “goditje masive humanitare dhe ekonomike” me PBB-në që pritet të bjerë me 10% këtë vit. “Rreziqet negative janë shumë të larta”, shton Fondi.