Nga Ilir Yzeiri
Në librin « The decline and rise od democracy – a global history from antiquity to today», botim i Princeton & Oxford University, botuar në vitin 2020 dhe i shpallur nga BBC dhe New York Times si libri më i mirë i vitit, pedagogu amerikan i Universitetit të New Yorkut i shkencave sociale e politike, mes të tjerash, trajton edhe çëshjten e raportit mes varfërisë dhe demokracisë dhe shtron pyetjen : a e zjgidh demokracia këtë problem ?
Le ta ndjekim argumentin e tij. Pabarazia, thotë ai, është e dëmshme për demokracinë dhe ka shumë njerëz që mendojnë se ajo mund ta minojë atë. Të varfrit, që janë të shumtë në numër, mund të votojnë për ata kandidatë që premtojnë taksën progresive apo lloje të tjera paketash që përfshijnë arsimin falas, fjala vjen. Mirëpo përvoja ka treguar se pabarazia dhe demokracia kanë bashkëjetuar dhe për këtë mjaft të shohim shembullin e Europës Perëndimore të shekullit XIX-XX, vijon ai. Në shumë vende demokracia qëndroi dhe u konsolidua pavarësisht pabarazisë në rritje. Ja si shkruan ai:
« Njëkohësisht, vetë demokracia shpesh bëri pak për të ndryshuar pabarazinë, dhe me kalimin e kohës elitat e kuptuan këtë. Nëse autorët e Federal Letters (Letrat federale) ishin të fiksuar me rrezikun që një republikë mund t’i kanoste pronës, aty nga fundi i shekullit të nëntëmbëdhjetë, elitat e Europës Perëndimore mësuan të marrin një qëndrim indiferent; përse të shqetësoheshin për votimin e përgjithshëm në qoftë se nuk rezulton me taksim të rëndë ose shpronësim? Ky konkluzion ka të mirat dhe të këqijat bashkë: demokracia mund të jetë më e qëndrueshme në prani të një pabarazie të lartë sesa ne mund ta mendojmë, por në qoftë se ju jeni i shqetësuar për pabarazinë, atëherë demokracia nuk mund të japë zgjidhje e vetme. » f. 21 (Përtkhim nga varianti në shqip që do të dalë së shpejti).
Më tej ai thotë se ka një ide që vendet e zhvilluara janë gjithmonë demokratike dhe shton se Sejmur Martin Lipse, një nga shkencëtarët e shquar të fushës politike, mbështet idenë se demokracia dhe zhvillimi shkojnë bashkë. Ndërkohë ka të tjerë që mendojnë të kundërtën. Ndërsa fakti që edhe vendet e varfra mund të përqafojnë demokracinë moderne vërtetohet me një shembull tjetër po nga Europa. Franca e Republikës së III franceze e vitit 1870 kishte të njëjtin nivel të PBB me Tanzaninë e sotme.
Mirëpo, siç e preka më lart, në kushtet e zhvillimit demokratik në një shoqëri të pabarabartë, të varfrit janë preja më e lakmuar e demagogëve. Ata e përdorin këtë shtresë të popullsisë për ta pasur si publik që të lexojë narrativën e tyre dhe si një mundësi që ajo të votojë për ta në zgjedhjet e ardhshme. Në fakt, në demokraci demagogët nuk bëhen kurrë administratorë sepse qeverisja nuk e mundëson asnjëherë zhdukjen e pabarazisë. Reformat që ndërmerren mund të synojnë vetëm të ngushtojnë hendekun, por jo ta zgjidhin problemin.