Nga Sokrat Hoxha
Zbythja e djeshme e Armand Dukës, i cili vendosi të shtyjë zgjedhjet për Presidentin e ri të FSHF-së pasi Gjykata e Tiranës e pezulloi nga detyra, u trumbetua me të drejtë si një fitore e Erion Veliajt. Pas një beteje që zgjati më shumë se një muaj dhe që u karakterizua nga një sërë padish civile dhe vendime gjykate kundër Dukës, i akuzuar për manipulime të rënda të procesit zgjedhor, kryebashkiaku i Tiranës, në cilësinë e aksionerit të KF Tiranës, arriti që t’i shtynte zgjedhjet e FSHF, duke legjitimuar përpara të gjithëve se dyshimet për manipulime e abuzime ishin të vërteta dhe se Presidenti i FSHF duhet të zgjidhet përmes një procesi transparent.
Por, fitorja e djeshme e Veliajt, ka sjellë edhe një fitore të dytë, shumë të rëndësishme, e cila lidhet me faktin se Armando Duka, me shtyrjen që i bëri zgjedhjeve për kreun e FSHF-së, ka pranuar si legjitime Shoqatën Rajonale të Futbollit të Tiranës, e cila tashmë me vendim të gjykatës drejtohet nga Eduart Prodani. Ky i fundit u regjistrua në gjykatë si drejtues i SHRF-së Tiranë, pas mbledhjes ku shumica e shoqatave të kryeqytetit nuk njohën zgjedhjet e orkestruara me dirigjim nga zyrtarët e FSHF-së në fillim të janarit.
SHRF-ja e Tiranës ka qenë në fakt nismëtarja e shumë padive civile të ngritura kundër Dukës dhe i ka fituar të gjitha në gjykatë, duke i hapur jo pak telashe zyrtarëve të FSHF-së, të cilët janë sot nën hetim edhe për shpërdorim të detyrës dhe fondeve. Por, duke iu bindur vendimeve të gjykatës, që erdhën si pasojë e SHRF-së Tiranë, Duka ka njohur rrjedhimisht shoqatën e drejtuar nga Prodani dhe kjo është një fitore jo e vogël për Veliajn.
Është e qartë se Armand Duka duhet t’i nënshtrohet një hetimi të thellë, për fondet dhe mënyrën si është menaxhuar FSHF-ja në 20 vjet prej tij dhe nëse prokuroria ka dyshime për abuzim me fonde dhe kryerjen e veprave penale, duhet nxitur të vijojë në punën e saj sepse drejtësia e re këtë duhet të bëjë në çdo hap të sajin.
Megjithatë, sado të rëndësishme janë këto dy fitore të Veliajt në Tiranë, për të zbythur një herë e mirë Dukën nga drejtimi i futbollit shqiptar (një verdikt që s’ka tifoz kuqezi që nuk e dëshiron sot), ka ende një pikëpyetje të madhe në gjithë këtë proces: Nëse Tirana e bëri detyrën e saj për të pastruar një herë e mirë futbollit shqiptar nga modeli dhe klani DUKA, çfarë po bëjnë shoqatat rajonale të Fierit, Lezhës, Elbasanit, Lushnjës, Shkodrës e kështu me radhë?
Që ta themi troç: Nëse Erion Veliaj e fitoi betejën e tij në Tiranë dhe e bëri Dukën të dridhet vendit, çfarë beteje kanë bërë apo po bëjnë Pjerin Ndreu në Lezhë? Armando Subashi në Fier? Eriselda Sefa në Lushnjë etj? Unë nuk kam dëgjuar apo lexuar asnjë lajm për ndonjë betejë të fituar prej tyre kundër klikës së Dukës. Dhe kjo është shumë shqetësuese.
Ka ardhur koha që secili prej këtyre të bëjë një betejë serioze kundër shpurës Duka. Fitorja e Veliajt ka sjellë edhe një të mirë në këtë proces: tani që zgjedhjet u shtynë, u ka dhënë kohë secilës prej shoqatave rajonale që të nisin betejën sa nuk është vonë. Duka duhet të largohet që të çlirojë futbollin shqiptar!