Nga Ardit Rada

Nuk ekziston në Shqipëri, njeri që të mos ankohet për gjykatat, për sistemin e drejtësisë në vendin tonë, dhe shpeshherë vendimet aspak logjike që dalin nga Togat e Zeza e krijojnë jo pak raste për vetëgjyqësi. Por këtë javë pamë sesi organet e drejtësisë i dhanë rrugën e duhur një çështjeje të ndjeshme si ajo e uzurpimit të FSHF-së, e shkeljeve të panumërta dhe cirkut shpikës të delegatëve që projektonin mandatin e gjashtë të Don Dukës në F$HF.

Sigurisht ishte fitorja e e Erion Veliajt, i vetmi që iu kundërvu sistemit të mafias dhe basteve, me vetëdijen se “Mbreti” nuk do abdikojë nga froni. Por ishte mbi të gjitha fitorja e fëmijëve të Tiranës, shoqatat e të cilëve kërkuan me zell përfaqësimin në asamble, por morën në këmbim lista të trukuara, zëdhënës F$HF-je nën avujt e alkoolit, dhe lavazhierë që u zgjuan nën petkun e delegatit. Tirana e fitoi një tjetër betejë, edhe pse deri në fund të luftës ka kohë. Po qytetet e tjera çfarë po bëjnë…

Si ndihet Dritan Leli kur e sheh të degdisur Flamurtarin e tij, të Kushtës dhe Rucit, të Tahos, Iljadhit, Zijait e Gjondedës, në greminën e ngritur nga Don Duka! Si ndihen vlonjatët kur shohin që Flamurtari i Çipit, Haxhiut e Lekbellos, dergjet në liga inferior dhe me borxhe të akumuluara sepse nuk pranoi të dorëzohet ndaj presionit të karteleve të kompanive të Dukës.

Duka kërkon të arkëtojë miliona, edhe kur bizneset e tij kanë marrë rrokopujën. Tigri prej letre i trumbetuar me bujë, kompania Plus ka çuar përmbaruesit në derën e Flamurtarit për të marrë paratë e një sponsori në konflikt të pastër interesi, për telefonata që ndoshta nuk janë bërë kurrë. Por kjo është vetëm maja e ajsbergut.

Si ndihet Sotiraq Filo, kur sheh Skënderbeun e tij me një damkë të rëndë trukimesh ndeshjesh, manipulimesh rezultatesh, që as charterat e Ardian Takajt drejt Nyon, nuk arritën ta zgjidhin dot! Ato charter që miksuan udhëtime luksi për media e biznesmenë, me synimin për të gjetur komprimis për të hequr njollën e kampionëve të Shqipërisë, të dënuar për trukime dhe baste.