Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj u takua me balerinin e njohur shqiptar, Ilir Shaqiri, fitues edhe i Big Brother VIP Albania, të cilin e ftoi të vinte më shpesh në Tiranë, sidomos tani që është shpallur Kryeqyteti Europian i Rinisë.
“Jam shumë i lumtur që, miku im Ilir Shaqiri, është sot këtu – një superçun Tirane, një nga produktet më dinjitoze të qytetit tonë. Ti je tamam “made in Tirana”, ke shpirtin e Tiranës, të dikujt që rrëzohet, por nuk ankohet, dhe ngrihet më i fortë. Jam shumë krenar për ty, për mënyrën se si tregon më të mirën, se çfarë është një ‘tirons i vërtetë’, që as nuk shtiret, as nuk mburret, as nuk shtyhet, por që ka mjaftueshëm zemër të madhe për të gjithë, dhe beson te merita dhe puna, si formula e vetme për të ecur përpara në jetë”, tha Veliaj.
Ilir Shaqiri, balerini shqiptar me famë në Itali, tha se e ka gjithmonë në zemër Tiranën. “Është hera e parë që shkel në Bashki dhe është ndjesi shumë e veçantë të takoj Lali Erin, një çun tirons, që e ndjek prej vitesh nga Italia. E ndjek shumë edhe rrugëtimin e Shqipërisë, nga dita në ditë, e nga viti në vit. E kam jetuar Shqipërinë në të gjitha aspektet e saj, ndaj kur vajza ime dhe Emanuela vijnë në Tiranë dhe thonë: ‘Sa e bukur Tirana, e sa do doja të jetoja një ditë aty’, më bëhet zemra mal sepse unë me Tiranën jam rritur që i vogël. Tirana është gjithmonë në zemrën e Ilirit, pavarësisht se në këto 30 vjet kam shkuar e kam ardhur, dhe me gjithë suksesin që kam pasur në Itali, objektivi im ka qenë: T’i jap vendit tim, vendlindjes sime, një perspektive, që është ëndrra e të riut, ëndrra e një talenti”, përfundoi ai.
Kryebashkiaku Veliaj i dhuroi balerinit shqiptar edhe Kullën e Sahatit të Tiranës.