Një tjetër histori motrash vjen në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty”. Irma vjen nga Irlanda, ndërsa Suzana nga Amerika drejt e në studion e programit “E diela shqiptare” në Tv Klan për të surprizuar nënën e tyre. Vajzat janë nga një familje e madhe me 6 fëmijë, por babai i tyre ka ndërruar jetë vite më parë pas vdekjes së djalit më të vogël nga një lloj goditjeje cerebrale.

Irma: Nëna jonë është si gjithë nënat shqiptare,është martuar në moshë të vogël me babanë tonë, me 6 fëmijë, ishte një familje shumë e lumtur, pavarësisht vuajtjeve, mundimeve që kanë prindërit për të rritur fëmijët. Por vjen një çast dhe fatkeqësitë e zbehin pak lumturinë sepse kemi humbur vëllain më të vogël.

Ardit Gjebrea: Nga se ndodhi?

Irma: Nga aneurizma. Jetonim të gjithë bashkë në Greqi, ai erdhi nga puna dhe duke thënë “koka, koka”, nuk shkoi shumë…

Suzana: As 20 minuta.

Detyra më e rëndë për të njoftuar prindërit e tyre për vdekjen e vëllait i ra Irmës, së cilës iu desh të kthehej në Shqipëri për t’i lajmëruar, një kumt i hidhur që mundi t’ia jepte vetëm pas 4 ditëve. Megjithatë, nëna e tyre, Dituria gjeti forca për të vazhduar rritjen e fëmijëve, ndërsa meraku i saj më i madh është vajza invalide me të cilën jeton, Pema.