Në një intervistë të gjerë me “RMC Sport”, Michel Platini, ish-presidenti i UEFA-s ka komentuar disa çështje aktuale, duke përfshirë fishkëllimat që Leo Messi mori në “Parc des Princes” pas eliminimit nga Champions-i në duart e Real Madridit.

“Kur tifozët të vërshëllejnë në stadiumin tuaj, para tifozëve tuaj, është shumë e komplikuar. Ne i kuptojmë fishkëllimat, por është e komplikuar, sepse një lojtar është qenie njerëzore, ka një shpirt. Leo i kupton vërshëllimat, edhe pse i dhemb. Më kanë fishkëllyer edhe mua në “Parc des Princes”. Ne kemi të drejtë të mërzitemi, por publiku është sovran. Leo erdhi për t’i kënaqur tifozët e PSG-së. Situata e tij është shumë e vështirë”.

I pyetur nëse mendon se Messi gaboi që u largua nga Barcelona dhe shkoi në skuadrën pariziene, Platini u përgjigj: “Ai mund të bëjë çfarë të dojë. Është e vërtetë që është djali i Barcelonës, siç ishte Ronaldo një bir i Madridit. Ata vendosën të largohen dhe unë mund ta vendos veten në vendin e tyre.

Është e komplikuar për një lojtar si Leo, kur arrin 34 vjeç. A do të luajë po aq mirë sa në të kaluarën? Lionel zgjodhi një sfidë të re. Është mirë për futbollin francez që ai erdhi për të luajtur këtu, por kurrë nuk do të luajë aq mirë sa 5 apo 6 vite më parë”.

Lidhur me daljen në skenë të Kylian Mbappe, i cili duket se do të nënshkruajë për Real Madridin në verë, ai u përgjigj: “Kemi jetuar 15 vite të jashtëzakonshme me dy lojtarë të jashtëzakonshëm, që kanë fituar gjithçka: Ronaldon dhe Messin. E ardhmja e Kylian është përpara tij, mund të fitojë gjithçka. Ai është lojtari që mund të bëhet ylli i ardhshëm i madh i viteve të ardhshme. Ka gjithçka për të qenë më i miri, për të qenë disa herë “Topi i Artë”.

Arsyet e dështimit të PSG-së, pavarësisht se ka skuadrën më të mirë në botë? Është e vështirë të bësh më mirë se sa bëri. Parizienët kanë një trident sulmues Messi-Neymar-Mbappé. Nëse bëhen bashkë tre nga lojtarët më të mirë në botë, nuk do të thotë se e keni suksesin të sigurt. Futbolli është kolektiv, ka nevojë për grupin kompakt. Neymar, Messi dhe Mbappé preferojmë t’i shohim kundër njëri-tjetrit”.