Nga Baton Haxhiu

Gabriel Sigmar, ish-ministri i Jashtëm Gjerman, erdhi në Kosovë në 2018, me qetësinë e tij prej diplomati. Nuk kishte asnjë dilemë. Erdhi dhe na tha se, “Asociacioni duhet nënshkruar. Se nuk ka, as nuk do të ketë asnjë përparim politik në negociata nëse kjo nuk bëhet”. Kërkoi edhe tokat e Deçanit për Kishën dhe nuk premtoi njohjen e Serbisë për Kosovën.

Thjeshtësia e tepruar e shpjegimit, që vjen nga fuqia e shtetit të madh, s’kishte asnjë analizë dhe brenda qëndrimit nuk përpiqej fare për të dhënë arsyen pse! Ministri i Jashtëm nuk kishte asnjë dëshirë që të lodhej diçka më shumë, së paku për ta sjellë situatën më afër fundit të dialogut.

Bëri aq dëme me ardhjen e tij, saqë la politikën kosovare të zhveshur nga dëshirat. E polarizoi, ia shtoi paqëndrueshmërinë dhe i dha forcë opozitës për nisjen e inkuizicionit politik.

Politika gjermane, sidomos ajo e jashtme, gjatë kohës së Merkel-it, për alternativat e Ballkanit dhe për angazhimin në ndërtimin e rrugës evropiane, ka qenë më e dëmshmja, më favorizuesja për Serbinë.

Brenda logjikës gjermane demokratike, jashtë shtetit të saj, bëri tolerancën e pakuptimtë për krijimin e figurave autokratike.

Politika gjermane dhe mungesa e vizionit për Ballkanin, toleranca si mungesë dhe jo toleranca si ide, ka qenë një ndër politikat më të dëmshme, sidomos për Kosovën.

Kjo mungesë ngushtoi mundësitë politike dhe ndezi fitilat për një version tjetër, që ishte jashtë ndikimit gjerman.

Aty filloi ideja e korrigjimit të kufijve dhe dhënies fund të telasheve me Serbinë, pasi Gjermania dhe shtetet evropiane impononin gjithçka që kosovarët nuk donin.

Ndërsa sot, dallimet tona me Gjermaninë dhe Evropën, janë shumë më të vogla, ose më saktë të gjitha dallimet që kemi pasur janë reduktuar – deklarativisht – në një: mungesa e zbatimit të ligjit.

Por, në thelb, ka diçka që na dallon ndjeshëm. Komuniteti i BE-së nuk di si të ofrojë shërbime për shtetndërtim dhe nuk po gjen mundësi dhe dije si të krijojë institucione vendase të vetëqëndrueshme, derisa ne e kemi jetike konsolidimin e tyre.

Këtu e kam fjalën para së gjithash për BE-në, e cila dëshiron të krijojë kontekst dhe të bëhet faktor përcaktues në ndërtimin e Kosovës dhe marrëdhënieve ballkanike dhe evropiane. Për atë BE, e cila dëshiron të na mësojë për principialitetin e shtetndërtimit, ndërsa në mesin e anëtarëve të saj nuk mund të dakordohen se çka është shteti. Natyrisht, rasti i Kosovës është prova e gjallë.

Elitat politike në Kosovë bën gjithçka që ta kenë të shtresuar oportunizmin politik, deri te kufijtë e durimit të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Edhe vizita e fundit e Annalena Baerbock, ministres së Jashtme të Gjermanisë, ishte një nga ato vizitat pa mesazh. Apo, ku mesazhi i lihet interpretimit, në mungesën e fjalëve konkrete nga vetë ministrja.

Frika se Serbia po kalon Rubikonin dhe po nis konfliktin në Ballkan, e bën atë që në konferenca për shtyp në Prishtinë dhe Beograd të thotë asgjë nga e vërteta e qëndrueshme në Ballkan.

Ajo përmendi se s’ka ndryshim të kufijve me dhunë dhe kaq. Krejt çka tha/nuk-tha për opinionin ishte e pamjaftueshme dhe prezenca e saj nuk ndryshoi asgjë nga ajo që, për 10 vjet, kanë thënë të gjithë ministrat e jashtëm gjermanë.

“Ju keni plotësuar kushtet për liberalizim, por duhet të ketë përparim në dialog”.

Si mund të vish me këso deklarate në Prishtinë? Më shumë se pa shije, tregon një mosrespekt ndaj banorëve të Kosovës.

Si përkujtim për ministren e Jashtme Gjermane mund të shkruajmë se çfarë ka prodhuar Berlini dhe Brukseli ndër këto vite.

Pika 1

Një takim i 21 dhjetorit të vitit 2017, në mes të Aleksandër Vuçiç dhe Vladimir Putin, i manifestuar me katër produkte kryesore, kishte treguar më mirë se çkado tjetër moskokëçarjen e Serbisë dhe rrugëtimin paralele në drejtim të BE-së e Rusisë, përkundër se njëri do të duhej ta eliminonte tjetrin. (Lajmi i raportuar në: https://www.b92.net/eng/news/politics.php?yyyy=2017&mm=12&dd=21&nav_id=103093)

E para, Rusia do të përfaqësonte qëndrimin zyrtar të Beogradit sa i përket statusit final të Kosovës. Sipas Vuçiç, kjo gjithsesi nënkupton se, në rast se SHBA-të do të angazhohen në fazën e fundit të dialogut për Kosovën, atëherë gjithsesi e njëjta duhet të ndodhë edhe me Rusinë.

Kjo ishte situata absurde e lejuar nga BE, kur Serbia synonte anëtarësimin, derisa thellonte raportet me një Rusi që, në të njëjtën kohë, i ishin vënë sanksione. (Lista e sanksioneve në këtë link: http://www.consilium.europa.eu/en/policies/sanctions/ukraine-crisis/)

Pika e dytë dhe e tretë e kësaj marrëveshjeje janë në vazhdë të zgjerimit të investimeve militare dhe ekonomike të Rusisë (dhe pjesërisht të Turqisë) në Serbi.

E katërta, Serbia ndërmerr obligime që të vazhdojë mbështetjen për Rusinë në marrëdhënie ndërkombëtare, përfshirë mosvendosjen e asnjë sanksioni për Rusinë – gjë që nuk e bëri as tash pas pushtimit rus të Ukrainës. Një politikë qartazi kundër politikave të përgjithshme sanksionuese të BE-së ndaj Rusisë.

Pavarësisht politikave ambivalente të Serbisë midis BE-së dhe Rusisë, aktualisht ajo është prej vendeve me përparimin më të theksuar drejt BE-së (përjashto Malin e Zi si një tjetër vend në proces aktiv të negocimit të kapitujve). (Për informacion shtesë: https://ec.europa.eu/neighbourhood-enlargement/countries/detailed-country-information/serbia_en)

Pika 2

Në kuadër të Planit të Veprimit për Kapitullin 23 të hapur me BE-në, Serbia ka miratuar Strategjinë Nacionale për Përndjekje të Krimeve të Luftës për periudhën 2016-2020. Pavarësisht kësaj mase të vlerësuar publikisht, performanca e Departamentit për Krime Lufte (në kuadër të Gjykatës të Lartë [the Higher Court] dhe të Gjykatës të Apelit [the Court of Appeal] në Beograd mbetet tejet e diskutueshme. Raporti i fundit i ekipit ligjor të Humanitarian Law Center – mes tjerash – vëren presion politik në raste, mungesë transparence dhe shkelje procedurale të vazhdueshme.
Ky stagnim evident, në adresim të krimeve të luftës në Serbi, është trajtuar nga BE-ja thjesht në kuadër të masave reformative gjyqësore të diktuara nga Kapitulli 23. Në Kosovë, ndërkaq, përkundër hetimeve nga Tribunali i Hagës, UNMIK dhe EULEX, prapë u inicua gjykata speciale si masë shtesë për hetime të krimeve të luftës të kryera nga pala shqiptare.

Për më shumë, BE-ja nuk ka adresuar asnjëherë fuqimisht fenomenin e rikuperimit politik të figurave të dënuara/përfshira në krime lufte në Kosovë.

Gjenerali Vladimir Lazareviç, i dënuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte në Kosovë, sot punon si profesor në Akademinë Ushtarake Serbe, si trajnues i oficerëve të rinj.

Në të njëjtën kohë, dy të dënuar të tjerë për krime lufte në gjykata të brendshme dhe Tribunalin e Hagës, përkatësisht Vesel Silvancanin dhe Mocilo Krejsnik, janë shfaqur si folës publikë nëpër evenimente publike të Partisë Progresive Serbe dhe Qendrën Rinore në Beograd.

Një tjetër i dënuar për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë, Nikola Sinoviç, vazhdon të ketë paraqitje të rregullta publike si anëtar i bordit qendror të Partisë Socialiste të Serbisë.

Po ashtu, Danica Marinkoviç, ish-gjyqtare hetuese në Kosovë/ Prishtinë dhe dëshmitare mbrojtëse në favor të Milosheviçit, Sreten Lukiç dhe Vlastimir Dordeviç në Hagë, është bërë pjesë e bordit Anti-Korrupsion.

Pika 3

Politika e BE-së, në raport me menaxhimin e raporteve Kosovë-Serbi, nuk është zhvilluar mbi standarde të njëjta sikurse me planin për modifikim të relacioneve të brendshme në Bosnje dhe Hercegovinë.

Përderisa kërkesa zyrtare e tyre në adresë të Bosnjës ka qenë fillim-zbatimi i vendimit të European Court of Human Rights, se zyrat publike nuk duhet të rezervohen ekskluzivisht për anëtarët e një komuniteti etnik, modeli i aplikuar në Kosovë rezervon për komandantin e Policisë në Veri të Kosovës pikërisht këtë. (Çështje e adresuar në: http://www.ecfr.eu/article/commentary_serbia_kosovo_and_the_benefits_of_normalisation128)

Në ndërkohë, Qeveria jonë…
Qeveria e tanishme e Kurtit, dikur Lëvizja anti-establishment e Kurtit, është principiele në mohimin e pakufishëm të çdo gjëje në emër të qytetarëve të pafuqishëm dhe të varfër. Janë principielë në atë masë saqë luajnë rolin e terroristit për të siguruar një shoqëri më të mirë dhe me mundësi të barabarta për votuesit e tyre përmes rrënimit dhe mohimit të institucioneve.

Menjëherë në këtë logjikë vihet dyshimi mbi principin, por para së gjithash në qëllimin e tyre që njëkohësisht të luajnë edhe pengjet e sistemit, të cilin duan ta rrënojnë. Zotërinj, demarkacioni i spektaklit nga realiteti bëhet çdo herë e më i pamundur në këto kohë të fake news-it, por, megjithatë, njëkohësisht nuk mund të jeni terrorist dhe peng!

Kështu erdhëm deri te tipari i përbashkët i aktorëve kryesorë të melodramës sonë, reduksionizmi i pakufishëm i principialitetit. Melodrama, e cila zhvillohet para syve të hapur të qytetarëve, me të gjitha dallimet ideologjike dhe të identitetit, e që duan një Kosovë, Ballkan dhe Evropë me prosperitet.

Në këtë kohë relativizmi dhe të realiteteve alternative, nuk jemi të vetmit që ballafaqohemi me këtë. Më përpara jemi shembull i përgjithshëm, sesa përjashtim në largimin e përhershëm të politikës nga principet, të vërtetës nga etika.

Por, Kosova, tash, në këtë moment nuk mund t’ia lejojë vetes këtë luks. Para së gjithash, nuk mundet për shkak të gjendjes në Ukrainë, që nesër mund të jetë në Ballkan, e cila përsëri këtë regjion e bën vatër zjarri gjatë themelimit të rendit të ri të forcave ndërmjet fuqive të mëdha.

Ashtu si edhe vendet e tjera në regjion, Kosova është në situatë të bëhet fitues ose humbës në këtë lojë të interesave ndërkombëtare, të cilat thyhen në mënyra që do të përkufizojnë dekadat para nesh.

Për (pa) fuqinë e BE-së veçse u fol. Ajo i kushtoi Maqedonisë me shumë dekada të humbura. Kërcënon t’i kushtojë edhe Kosovës. Veçse është duke u fuqizuar në mënyrë të rrezikshme zhgënjimi në sistemin e vlerave të cilave duam t’u takojmë. Ky zhgënjim na shtyn të kërkojmë sisteme alternative të vlerave, alternativa të realitetit në të cilat nuk do të ndihemi në ekzil në shtetin tonë dhe të cilat nxisin radikalizma që krijohen shpejt, ndërsa zhduken shumë vështirë.

Kjo BE e pavendosur, me një ndërmjetësues që nuk ka fuqinë e vendit të tij, e vështirëson dialogun me të cilin ajo dëshiron të udhëheqë, e të cilin ne duhet ta zhvillojmë, por i cili po ashtu duhet të shpjerë në pranim të Kosovës.

E hap një mundësi të rrezikshme të përfitimit nga mos-sqarimi i dialogut ndërmjet dy popujve, shqiptar dhe serb, marrëdhëniet e të cilëve do të përcaktojnë marrëdhëniet në Ballkan në periudhat e ardhshme.

Sepse, në gjenet autoritative të liderëve ballkanikë, fuqia është një mundësi që nuk lihet. Ndërsa fuqia për të manipuluar me çelësin e zgjidhjes së marrëdhënieve ndërmjet dy popujve është shumë e madhe dhe paraqet tërheqje shumë fatale. E Ballkani e ka dëshmuar se nuk e ka të panjohur këtë lloj të tërheqjes.

Kjo pavendosmëri e rrezikshme dhe moskonsistenca hap vend për një ndikim më të fuqishëm të atyre që në Ballkan mbrojnë versionin e tyre të rendit botëror.

Më e qarta, Rusia, edhe atë pa pavendosmëri dhe brutalisht praktike. Destabilizimi i orientimit perëndimor të vendeve të regjionit është një synim i qartë dhe kërcënon të mbyllë regjionin përsëri në një rreth vicioz të konflikteve dhe prapakthimit të sinkronizuar.

Amerika ende është garant i stabilitetit dhe zgjidhjeve të vërteta në regjion. Por enigmat që krijojnë sfidat e brendshme në SHBA dhe provokimet e Rusisë së Putinit e bëjnë shumë të rrezikshme hapjen e problemit në këtë kohë e pa zgjidhje të ofruara.

Prandaj Kosova nuk e ka luksin evropian të jetë e pavendosur dhe e paqartë në këtë kohë, lidhur me çështjet thelbësore të sovranitetit dhe njohjes ndërkombëtare. Ky mund të jetë një proces i papërfunduar, siç edhe ndodh shpesh në Ballkan, por duhet të jetë një princip i qartë dhe i zëshëm dhe synim përfundimtar me të cilin nuk ka kompromis.

Sepse, për të tregtuar me principe, duhet t’i bëjmë të mundura; për t’i vënë në pikëpyetje institucionet fillimisht duhet t’i krijojmë ato dhe në radikalizmin e skajshëm, shqiptar dhe serb – për të dyshuar në shtet, fillimisht duhet ta kemi atë.

Sepse, me gjithë problemet që ka sot Evropa, që nga rënia ekonomike, te dobësimi i rolit të saj në botë, e deri te dominimi i përkohshëm i një vendi kundrejt vendeve të tjera, sërish ajo mbetet i vetmi destinacion për ne. Sepse, është një destinacion lirie për të gjithë ata që kanë vuajtur mungesën e lirisë, siç është edhe rasti ynë.