U kthye me urgjencë nga pushimi, pasi mësoi sulmin rus në Ukrainë, kur ngjarjet e detyruan të ndalonte në qytetin kufitar Okhtyrka, në rajonin ukrainas të Sumy. Pikërisht në Sumy vendosi të shërbente si mjeke duke ndihmuar pa u lodhur të plagosurit për dy ditë, pa marrë parasysh se ndodhej nën zjarrin e armikut deri në atë pikë sa sakrifikoi jetën e saj.

Për këtë arsye, mjekes ukrainase Inna Derusova iu dha titulli “Hero i Ukrainës” pas vdekjes, e para grua në vend që merr një nderim të tillë pas vdekjes. Inna, një rreshter, mjeke në ushtrinë ukrainase, vdiq më 26 shkurt disa kilometra larg kufirit rus, në zonën midis Sumy dhe Kharkiv, pjesë që u sulmua nga rusët që në orët e para të pushtimit.

Sipas qeverisë së Kievit, doktoresha qëndroi në postin e saj për dy ditë duke u kujdesur për të plagosurit që vinin nga fronti dhe duke shpëtuar personalisht dhjetë persona të goditur nga plumbat përpara se të goditej dhe vritej nga bombardimet ruse gjatë avancimit në përpjekje për të shpëtuar të tjerët. “Inna Derusova qëndroi me ta deri në fund”, shpjegoi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, duke njoftuar përmes një videomesazhi se i kishte akorduar dekoratën e njohjes më të lartë të qeverisë.

Siç thuhet në dekretin presidencial, doktoreshës iu dha titulli me Urdhrin e Yllit të Artë “për guximin personal dhe heroizmin e treguar në mbrojtjen e sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Ukrainës”.