Mesfushori i Paris Saint-Germainit, Georginio Wijnaldum, raportohet se do të rikthehet në Premier Ligë këtë verë.

Reprezentuesi holandez nënshkroi kontratë trevjeçare me parisienët në vitin e kaluar pas kalimit nga Liverpooli, por nuk po arrin assesi të dëshmohet. Wijnaldum ka shënuar tri gola dhe dy asistime në 29 paraqitje për PSG-në në të gjitha garat, duke mos arritur të fitojë një vend të rregullt në 11-shen e parë të Pochettinos.

Sipas “L’Equipe”, 31-vjeçari dhe PSG kanë pranuar se transferimi ishte një gabim dhe mesfushori do të jetë njëri prej futbollistëve që do të largohen nga “Parc des Princes” në afatin kalimtar të verës. Raporti shton se një rikthim në Premier Ligë është opsioni më i mundshëm për Wijnaldum, por Liverpool nuk pritet që të tentojë ri-nënshkrimin me të.

Arsenali thuhet se është një nga klubet e interesuar për Georginio Wijnaldumin, por mbetet të shihet se cili do të jetë destinacioni i radhës i lojtarit.