Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez nuk mund ta fsheh gëzimin pasi e shkatërroi Real Madridin në “El Clasicon” e mbrëmshme. Ish-mesfushori kreativ e mori në dorë ekipin teksa ishte në krizë rezultatesh duke e ngritur lartë dhe si kulmi arriti me fitoren e thellë, 4:0 në “Santiago Bernabeu”. Pierre-Emerick Aubameyang realizoi dy herë në këtë ndeshje të madhe, ndërsa
Ronald Araujo e Ferran Torres realizuan po ashtu në kryeqytetin spanjoll. “Jam mjaft krenar, mjaft i lumtur. Kjo është një ditë që e tërë Barcelona duhet ta shijojë”, deklaroi Xavi. “Ne nuk kishim shumë gëzime në ndeshjet e fundit, posaçërisht në El Clasico. Dhe, unë po ashtu si trajner i Barçës jam një Cule (fans i Barçës). Ne do të festojmë për këtë fitore, nuk ka dyshim për këtë. Tash e kemi pushimin dhe e kemi mundësinë ta shijojmë këtë periudhë”, vazhdoi ai.
“Është e vështirë të fitosh 4:0 në Bernabeu dhe duhet ta shijojmë këtë. Jam krenar me atë që e bënë këta lojtarë. Nuk ishte një ndeshje perfektë, por ishte spektakolare. Ne dhamë mesazhe se jemi në rrugën për t’u kthyer lart”, nënvizoi Xavi. Fitorja e mbrëmshme ishte e gjashtë radhazi për Barçën në La Liga. Katalunasit e zënë vendin e tretë aktualisht me 12 pikë më pak se Reali. Xavi nuk është shumë optimist sa i përket titullit, por thotë se ka ende shumë pikë në lojë dhe se nuk i dihet kurrë.