Situata e trashëguar me problemet e pronësisë ka sjellë sot edhe reagimin e ambasadores së SHBA-ve në vendin tonë, Yuri Kim. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kim, duke iu referuar Kadastrës së Durrësit, shkruan se pret hapa konkretë për të nxjerrë përpara drejtësisë përgjegjësit.

“Mirëpresim raportin e Agjencisë së Kadastrës në lidhje me mangësitë dhe krimet e mundshme në Durrës. Ne presim hapa konkretë për të nxjerrë përpara përgjegjësit, për të rritur transparencën dhe për të mbyllur mundësitë për korrupsion kur bëhet fjalë për regjistrimin e pronave në Durrës dhe gjetkë në Shqipëri. Hapat e tillë do të tërheqin më shumë investime, përfshirë edhe nga SHBA. Ata gjithashtu do të bëjnë të qartë se Shqipëria është gati për t’u anëtarësuar në BE.”

Gjatë një konference për shtyp nga Drejtoria Rajonale e Kadastrës së Durrësit një ditë më parë, Drejtori i Kadastrës Shqiptare, Artan Lame tha se nga 1063 regjistra vetëm 152 regjistra të pasurive të paluajtshme janë në gjendje të mirë, ndërsa 908 prej tyre kanë ndryshime brenda tyre.