Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka thirrur sot një mbledhje me strukturat drejtuese, e cila për nga numri i pjesëmarrësve është më e madhja e mbledhur që nga humbja e 6 Marsit. Burime brenda selisë blu, thanë për Balkanweb se kreu i demokratëve nuk është mjaftuar me thirrjen e grupit parlamentar. Në të njëjtën kohë ai ka lajmëruar për të qenë në mbledhjen e orës 17:00 edhe kryesinë e partisë si dhe Kolegjin e Kryetarëve.
Nuk dihet ende se çfarë drejtimi do të marrë mbledhja e sotme, por burimet nga selia blu bëjnë të ditur se duke iu referuar numrit të pjesëmarrësve, pritet që kryedemokrati Basha të bëjë publik një vendim të rëndësishëm. Dy javë më parë, një pjesë e madhe e deputetëve i kërkuan Bashës të bëjë një hap pas dhe të largohet nga drejtimi i partisë për ti hapur rrugë bashkimit të saj.
Disa prej tyre i vendosën edhe afate Bashës për largimin, afate që tashmë kanë kaluar, ndërkohë që të tjerë kanë deklaruar publikisht se në drejtimin e partisë duhet të jetë një emër i tiij, përveç Bsahës dhe Berishës. Ndërsa kryetarët e degëve të thirrur së fundmi dy herë nga Lulzim Basha kanë kërkuar fillimisht që ai të qëndrojë në krye të partisë dhe në mbledhjen e dytë janë lëkundur në qëndrimin e tyre, duke kërkuar që kryedemokrati të bëjë një hap pas.