Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka quajtur Rusinë një shtet terrorist, ku gjatë një adresimi të orëve të vona të 16 marsit, për publikun, ai ka dënuar ashpërsisht sulmin në Teatrin e Mariupolit, kur në të mendohet se ishin 1 mijë e 200 persona, mes të cilëve shumë fëmijë.
Rrethimin prej shumë ditësh të Mariupolit, ai e krahasoi me Leningradin, ndërsa qartësisht, e ka artikuluar sërish faktin se “lufta, nuk ka ndaluar”.
“Krimet e Rusisë vijojnë. Ekonomia ruse është ende në gjendje të mbajë në këmbë një makineri ushtarake. Ndaj na duhen sanksionet kundër Rusisë”, tha Zelensky.
Por, gjëja e parë që duhet bërë, sipas tij, është që bota ta njohë Rusinë si “një shtet terrorist”.
Një adresim, ai e ka pasur edhe për qytetarët rusë, duke i shtruar pyetjen referuar ngjashmërisë së rrethimit në Mariupol dhe atij në Leningrad gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Qytetarë të Rusisë. Si është rrethimi i Mariupolit i ndryshëm nga ai i Leningradit gjatë L2B-së? Kujt po ia merrni vendin”, parashtroi ai.
Nga ana tjetër, ka ende shpresa sipas presidentit ukrainas, për të arritur një marrëveshje me Moskës. Po aq mundësi, ka edhe për ushtarët rusë, të cilët ende nuk janë vrarë, kapur apo plagosur, për të shpëtuar nga kjo luftë.
“Ushtria ruse po sheh humbje, të cilat nuk i ka parë as në Siri dhe as në Çeçeni. Humbje që as ish-Bashkimi Sovjetik, nuk i ka parë në Afganistan. Nëse lufta juaj ndaj Ukrainës do të vijojë, nënat ruse do të humbin edhe më shumë fëmijë se sa në luftërat afgane e çeçene të marra së bashku”.
Ndërsa, për çdo ushtar rus, në përmbyllje, bëri një thirrje: Ulni armët dhe do të kurseheni!