Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, Shefi i Delegacionit të BE-së, Ambasadori Luigi Soreca, dhe Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së, Monica Merino, vizituan Shkollën e Mesme të Bashkuar dhe Kopshtin “Ismet Nanushi” të rikonstruktuar së fundmi dhe që përbëjnë investimet më të mëdha të Programit “BE për Shkollat” deri më sot. Shkolla e Mesme e Bashkuar dhe Kopshti “Ismet Nanushi” në Kullë të Bashkisë së Durrësit u inauguruan sot me praninë e Zëvendëskryeministrit të Republikës së Shqipërisë Arben Ahmetaj, Shefit të Delegacionit të BE-së, Ambasadorit Luigi Soreca, Kryetares së Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, Përfaqësueses së Përhershme të UNDP-së, Monica Merino, nxënësve të shkollave, fëmijëve dhe prindërve.
Godinat e shkollës dhe kopshtit të vjetër u shkatërruan tërësisht nga tërmeti i vitit 2019 dhe u rikonstruktuan në kontekstin e Programit “BE për Shkollat”. 810 nxënës, 120 fëmijë që ndjekin kopshtin dhe 40 mësues janë rikthyer tashmë në ambientet e reja të shkollës. Deri më sot, ky është investimi më i madh i programit nga i cili përfitojnë edhe 3500 banorë të Kullës.
Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj u shpreh:
“Ne jemi shumë mirënjohës ndaj Bashkimit Evropian për gjithë mbështetjen e dhënë duke filluar që nga Konferenca e Donatorëve në Shkurt 2020 deri tani, kur po shohim vepra konkrete me shkolla të rindërtuara me standarde evropiane. Do të doja të shprehja gjithashtu një falënderim të veçantë për Ambasadorin Soreca, i cili ka qenë krah për krah me Qeverinë Shqiptare në këtë proces të rëndësishëm”.
Shefi i Delegacionit të BE-së, Ambasadori Luigi Soreca tha:
“BE është krenare që ka arritur ta bëjë realitet këtë shkollë për shumë fëmijë dhe familje shqiptare. Programi “EU4Schools” ka reflektuar solidaritetin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen që ai jep për Shqipërinë dhe rininë e saj. Ndërsa përgatitem për t’u larguar nga Shqipëria, ky objekt arsimor dhe të tjera shkolla do të qendrojnë përherë në kujtimet e mia. BE vazhdon t’i qëndrojë angazhimit ndaj popullit shqiptar, me “EU4Schools” dhe gjithë mbështetjen e bashkëpunimin e saj. Evropa është këtu!
Përfaqësuesja e Përhershme eUNDP-së, Monica Merino nënvizoi:
“Ne jemi të lumtur të përurojmë këtë shkollë dhe kopsht fëmijësh krejt të ri – investimi më i madh në kontekstin e Programit “EU4Schools” deri tani. Ne kemi angazhuar fëmijët, prindërit dhe komunitetin në procesin e rindërtimit. Transparenca qëndron ne themel të punës sonë. Portali i transparencës i programit “EU4Schools”, i cili ofron përditësime në kohë reale mbi procesin e rindërtimit, ka tërhequr një numër të madh vizitorësh. I inkurajoj të gjithë ta vizitojnë për t’u përditësuar mbi programin. Partneritetet qëndrojnë në zemër të programit tonë. Falënderoj Bashkimin Evropian për këtë partneritet në dobi të brezit të ri të Shqipërisë”.
Kompleksi i shkollës përbëhet nga tre godina të veçanta: një kopsht, një shkollë 9-vjeçare trekatëshe dhe një shkollë e mesme po trekatëshe. Ai është i pajisur edhe me ambiente sportive të brendshme dhe të jashtme, sisteme alarmi kundër zjarrit dhe të mbrojtjes nga zjarri, dalje emergjence, rampa dhe ashensorë për të lehtësuar aksesin e personave me aftësi të kufizuara, sistem qendror të ngrohjes dhe ftohjes, dhe me panele diellore.
Në fund të vizitës, u mboll një pemë ulliri në përkujtim të këtij investimi jetik për brezin e ri në Shqipëri.
Shkolla e Mesme e Bashkuar dhe Kopshti “Ismet Nanushi” është pjesë e programit “BE për Shkollat”, i financuar nga Bashkimi Evropian përmes një buxheti prej 75 milionë eurosh. Programi zbatohet nga UNDP. 23 objekte arsimore janë rindërtuar ose riparuar që prej nisjes së programit në prill të vitit 2020, të cilat u shërbejnë 7325 fëmijëve/nxënësve dhe 445 mësuesve.
Programi “BE për Shkollat” ndjek dy parime kryesore në procesin e rindërtimit: “Rindërtojmë më Mirë”, që nënkupton ndërtimin e strukturave më të forta, që mund t’u rezistojnë fatkeqësive dhe që janë në përputhje me standardet më të larta evropiane të cilësisë dhe sigurisë, me konsum efikas të energjisë për të mbrojtur mjedisin; dhe “Rindërtojmë së Bashku”, që nënkupton angazhimin e përfituesve si nxënësit, mësuesit, prindërit dhe komunitetin për t’i dhënë zë nevojave të tyre në procesin e rindërtimit përmes konsultimeve publike.