Në 13 vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ambasadorja amerikane Yuri Kim shprehet se që prej 1 prillit të 2009, vlera e vendit tonë si aleat vijon të rritet në mënyrë të qëndrueshme. Në një postim në Twitter, kryediplomatja amerikane shprehet se që nga dita e anëtarësimit, forcat amerikane dhe ato shqiptare kanë derdhur gjak, djersë dhe lot bashkë në Afganistan, Irak, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe kudo tjetër.

YURI KIM NË TWITTER

“Vitin e kaluar, Shqipëria priti stërvitjen më të madhe ushtarake të udhëhequr ndonjëherë në Ballkanin Perëndimor. Këtë vit, NATO filloi të përmirësojë bazën ajrore në Kuçovë për t’u bërë një objekt i NATO-s. Së shpejti, ekspertët amerikanë do të fillojnë një program të ri për të siguruar që Shqipëria të përmbushë objektivat e NATO-s. SHBA është krenare që është aleate me Shqipërinë.”