Të premten, 1 prill, kanë rinisur negociatat mes Kievit dhe Moskës, derisa në Mariupol ka ende bllokadë në dërgim të ndihmave humanitare dhe evakuim të civilëve nga qyteti i shkatërruar prej luftës. “Ne po vazhdojmë bisedimet përmes video-konferencës”, ka thënë shefi negociator i palës ruse, Vladimir Medinsky përmes Telegramit. “Pozicionet tona për Krimenë dhe Donbasin nuk kanë ndryshuar”, ka thënë ai.

Putin do të bisedojë më vonë me Erdoganin

Presidenti rus, Vladimir Putin do të bisedojë të premten përmes telefonit me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë Kremlini. Ky njoftim vjen pasi Stambolli ka qenë të martën nikoqir i bisedimeve për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë.  Erdogan ka thënë se Turqia është e gatshme, në parim, të angazhohet si garantuese e sigurisë për Ukrainën, mirëpo detajet e një formati të tillë duhet të diskutohen.

Ukraina ka propozuar miratimin e statusit neutral, që nënkupton mosanëtarësim në aleanca ushtarake, sikurse ajo e NATO-s, apo që të jetë nikoqire e bazave ushtarake – dhe që në kthim shtetet të bëhen garantuese të sigurisë së saj. Erdogan ka biseduar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky përmes telefonit të enjten. Ankaraja ka thënë se mund të jetë ndërmjetësuese në mes të Rusisë dhe Ukrainës.