Nxitimi për të mbyllur komandimin e PD-së prej tij, duke zgjedhur forumet e reja, kryetarët e rinj të degëve, Këshillin kombëtar, dhe ti japë fund gjithë procesit duke u u rikthyer në 22 maj në krye të PD-së, duket se i ka kushtuar rëndë Sali Berishës.
Plot 35 deputetë, nuk pranuan të marrin pjesë në kuvendin e organizuar nga Komisioni i Rithemelimit duke bërë tashmë evidentë çarjen në grupin parlamentar më të madh të opozitës. Aq e fortë ishte kjo çarje sa edhe deputetë që kishin dhënë shenja afrimi me fitimtarët e rinj të pas 6 marsit, si Alizoti apo Salianji, gjithashtu e bojkotuan kuvendin.
E gjithë kjo thyerje, që u shfaq këtë 30 prill me tërë fuqinë e saj, filloi të bëhej e prekshme pasi Enkelejd Alibeaj propozoi një platformë për pajtimin e demokratëve. Ndonëse shumë nga deputetët kishin qenë këmbëngulës në presionin për dorëheqjen e Bashës, pra ishin distancuar dukshëm nga ish- kryetari, ata i këkruan Berishës një rrugë kompromisi.
Ata donin që gjithë planifikimi i zgjedhjeve të degëve lokale dhe forumeve qëndrore të shtyhej për disa kohë, sa të zinin kore plagët e betejës së ashpër që kulmoi në 9 janar. Vetëm kështu të gjithë do të konkuronin më pas në kushte të barabarta gare.
Berisha e hodhi poshtë pa e përfillur këtë kërkesë që deputetët ia thanë edhe sy më sy gjatë një mbledhjeje grupi. Natyrisht ai kishte edhe faktorë objektiv në këtë qëndrim. Si përfaqësues i shumicës, ai gjendej nën sulmin e trefishtë të diplomatëve amerikanë që vijonin të njihnin pakicën, të qeverisë Rama që luante po të njëjtën lojë dhe të gjykatave që nën presion, mund ti rikthejnë vulën dhe selinë një grupimi që nuk ka më votues.
Pra, mes këtyre dy zjarreve, domosdoshmërisë për tu imponuar si përfaqësues i vullnetit të shumicës, kundër atyre që duan ta manipulojnë atë dhe nevojës për të bërë për vete sa më shumë deputetë, Berisha zgjodhi të parën.
Por justifikimet e tij se “bashkimi bëhet përmes votës”, apo se “deputetët pas kuvendit do të zbresin në bazë si përfaqësues të shumicës dhe jo të pakicës”, nuk pinë ujë. Ata u ndjenë nën trysninë e revanshit të fitimtarëve dhe zgjodhën ta bojkotojnë festën e këtyre të fundit.
Në këtë kontekst, çkuptim ka shkarkimi që i bëri kuvendi Enkeleid Alibeaj, kur për të mund të mos votojnë shumica e pjestarëve të grupit parlamentar? A nuk ngjan ai me shkarkimet fallco që Basha u bëri në kuvendin e vet ndaj Bersha&co në 18 dhjetor?
Po të tregohej më i durueshëm, më tolerant dhe pa nxitimin e ankthshëm për të kapur gjithçka në PD, Sali Berisha, do ti kishte rikuperuar sot një pjesë të mirë të deputetëve që u distancuan me kohë nga Basha. Por ai i dënoi ata me mospërfillje dhe mori kundërpërgjigjen.
Prandaj, ndonëse sot në fasadë dukej si dita e triumfit të liderit historik, i cili po zgjedh Këshillin Kombëtar, kryesinë dhe pas një muaji do zyrtarizohet vetë në krye të partisë, e vërteta është pak më ndryshe. Incidenti që i ndodhi Sali Berishës në sallë, duke u rrëzuar përpara fjalimit, është simbolika më e qëlluar edhe asaj që i ndodhi në kuvend.
Ai fitoi partinë, por humbi më shumë se gjysmën e trupës që e përfaqëson atë në parlament. E nëse vazhdon kështu, për tre vitet e ardhshme, ne do kemi fare pak deputetë që do të përfaqësojnë në kuvend votuesit e opozitës në 25 prill. Kjo është disfata reale e Berishës këtë 30 prill që nuk përkon aspak me slloganet e afishuara të bashkimit dhe hapjes.(Lapsi.al)