Deputeti demokrat Edi Paloka thotë se ambasadorja Yuri Kim ka ndërhyrë në mënyrë flagrante në gjykatë nëpërmjet pushtetarëve.
“Berisha tha se ka tre burime informacioni që e vërteton këtë. Ndërhyrja është bërë dhe publikisht, kërcënimet e gjykatës që Kim i quan normale. Në cilin vend demokratik të botës mundet një ambasador t’i japë urdhra gjykatës”-tha Paloka.
Paloka theksoi se ‘non grata’ e Berishës është moslejimi që ai të shkojë në SHBA dhe s’mund t’i përcaktosh asgjë tjetër askujt.
“U bë mbledhja e grupit të PS për të marrë vendimin mbi Rakipin. Mbasi u mblodh grupi vendosi që s’do ta përjashtojë. Doli dikush, ambasadorja që t’i thotë Ramës nëse s’përjashtoni Rakipin do ndërpresim marrëdhëniet me ju? Jo”-deklaroi Paloka.
Më tej deputeti demokrat deklaroi se Yuri Kim që kur ka ardhur ka sulmuar opozitën vazhdimisht.
“Edhe para shpalljes non grata të Berishës. I kam thënë Bashës dil reago kur ambasadorja sulmon. Ai nuk e ka kundërshtuar kurrë, dihen reagimet e tij”-tha Paloka.