Në konferencën ndërkombëtare “Përballë Kodit të Transmetimit” që u zhvillua javën e kaluar në Tiranë, por dhe në një sërë aktivitetesh që ka zhvilluar më herët AMA, është ngritur nga organizata të shoqërisë civile apo institucione të ndryshme çështja e trajtimit të miturve si vik tima të abuzimit se ks ual në median audiovizive.
Janë identifikuar raste të raportimit të ngjarjeve të tilla, ku është përfshirë dhe identifikimi për fëmijën, për familjen, për vendodhjen, dinamikën e përshkrimit të ngjarjes etj.
Informimi për rastet e këtyre abuzimeve në median audiovizive është natyrshëm pjesë e tematikave nga aktualiteti që mbulojnë redaksitë dhe për të cilat ka interes për publikun. Por identifikimi i viktimave të mitur, apo i familjarëve të tyre është i papranueshëm dhe që krijon probleme të tjera, veç abuzimit seksual. Raportimet identifikuese krijojnë stres dhe tension të shtuar, duke vështirësuar jetesën brenda dhe jashtë familjes, me pasoja serioze dhe për të ardhmen e tyre.
Në nenin Neni 4 të ligjit 97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ku flitet mbi parimet themelore për veprimtarinë e transmetimeve audiovizive, përcaktohet dhe se: “Kjo veprimtari respekton në mënyrë të veçantë të drejtat, interesat dhe kërkesat morale e ligjore për mbrojtjen e të miturve” (pika 1/b). Kurse në nenin 33, po në këtë ligj, ku flitet për detyrimet e OSHMA-ve, përmendet mes të tjerave se, ofruesi i shërbimit mediatik audioviziv duhet “të mos cenojë dinjitetin dhe të drejtat themelore të njeriut”, (pika 1/ç).
AMA duke vlerësuar maksimalisht angazhimin e redaksive në informimin e publikut, kërkon vëmendje dhe për respektimin e kërkesave ligjore, ashtu sikundër dhe standardeve profesionale dhe etike nga reporterët dhe redaktorët, për të evituar plotësisht situatat identifikuese në rastet e abuzimeve seksuale më të mitur.
AMA po vijon procesin e monitorimit të përmbajtjeve të transmetuara dhe në rast të identifikimit të shkeljeve të kërkesave të ligjit 97/2013, i ndryshuar, apo Kodit të Transmetimit, do të nisë procedimin administrativ.
Autoriteti i Mediave Audiovizive