Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres bëri një apel për pauzë humanitare katër ditore duke bazuar në ‘Javën e Shenjtë’, e cila fillon nga e enjtja e Madhe dhe deri të dielën e Pashkëve më 24 prill.
“Apeli i Pashkëve për Ukrainën, do të lejojë hapjen e korridoreve humanitare. Në vend të festimit të një jete të re, kjo Pashkë përkon me një ofensivë ruse në Ukrainën lindore. Java e Shenjtë po vëzhgohet nën renë e një lufte që përfaqëson mohimin total të mesazhit të Pashkëve”, tha Guterres.
Kjo pauzë humanitare do të lejojë kalimin e civilëve të cilët duan të largohen nga zonat e luftës, njëkohësisht do të lejojë dërgimin e sigurt të “ndihmave humanitare shpëtimtare” për njerëzit në zonat e goditura duke përfshirë Mariupol, Kherson, Donetsk dhe Luhansk, tha Guterres.
Koordinatori i Ndihmës Emergjente, Martin Griffiths këtë mëngjes bëri thirrje për hapjen e një dialogu për paqe në këto ditë Pashke.
“I frymëzuar nga Java e Shenjtë dhe gjithçka që ajo përfaqëson, u bëj thirrje të gjitha palëve dhe të gjithë kampionëve të paqes në mbarë botën t’i bashkohen thirrjes sime të Pashkëve. Shpëtoni jetë. Ndaloni gjakderdhjen dhe shkatërrimin. Hapni një dritare dialogu dhe paqeje dhe mbani besim në kuptimin dhe mesazhin e Pashkëve”, tha Griffiths.
Lufta vazhdon prej disa javësh në Ukrainë, ndërsa ditët e fundit ka qenë e pamundur hapja e korridoreve humanitare.
Prej dy ditësh nuk është arritur marrëveshja për hapjen e korridoreve për evakuimin e civilëve.