Tre skuadrat që janë në luftë për titullin kampion në Serie A, përveç impenjimeve në fushë, po mendojnë edhe për merkaton. Milan, Napoli dhe Inter kanë objektivat e tyre.

Por ajo që bie në sy është se mes emrave të shumtë ndodhet edhe ai i Armando Brojës, sulmuesit të Kombëtares shqiptare që ka bërë një sezon shumë të mirë në Premier League në radhët e Southampton. Napoli është më konkret për bomberin kuqezi, teksa duan të zëvendësojnë Osimhen, me nigerianin gjithnjë e më larg, pasi për të janë ofruar 100 milionë euro.

Drejtori sportiv Giuntoli sheh te Broja karakteristika të njëjta dhe mund ta kthejë sulmuesin shqiptar ashtu siç bëri me Osimhen, ku edhe mosha luan rol të rëndësishëm.

Ndërkohë, te Milan, pavarësisht se në merkaton e janarit në tavolinë ishte edhe emri i Brojës, në buxhetin prej 100 milionë euro që klubi ka vënë në dispozicion për merkaton e kësaj vere, nuk ndodhet asnjë sulmues, për pasojë as Broja. Gjithsesi, gjërat deri në korrik mund të ndryshojnë shumë, me Milan që mund t’i rikthehet pistës për sulmuesin kuqezi.