Greqia ka reaguar ashpër ndaj Turqisë për fluturimet e avionëve luftarakë në territorin grek.

Pas udhëzimeve të ministrit të Jashtëm, Nikos Dendias, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Themistoklis Demiris, së fundmi i ka bërë një notë proteste të fortë ambasadorit turk në lidhje me fluturimet aktuale në territorin grek të disa avionëve turq.

Sipas Protothemës, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme nënvizoi se këto veprime janë shkelje e sovranitetit grek, përbëjnë një sfidë të papranueshme dhe janë në kundërshtim me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare.

Ai theksoi gjithashtu se këto veprime, përveç se janë të paligjshme dhe provokuese, rrezikojnë trafikun ajror ndërkombëtar, janë plotësisht në kundërshtim me parimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes dy shteteve dhe minojnë përpjekjet për konsolidimin e një klime besimi.

Avionët F-16 të armatosur fluturuan mbi Samos, Lipsi, Arkios, Agathonisi, Fourni, Oinousses, Farmakonisi në një stërvitje ushtarake.