Bashkimi Evropian planifikon të përdorë një samit virtual që po zhvillohet sot në Bruksel për t’i dërguar një mesazh të ashpër Kinës se ”të ndihmosh Rusinë në Ukrainë nuk është në interesin ekonomik të Pekinit”.

”BE-ja do t’i bëjë të ditur Kinës pasojat për marrëdhëniet me bllokun nëse Pekini ofron mbështetje të hapur për pushtimin e Rusisë, tani në muajin e dytë”, tha një zyrtar i lartë i BE-së përpara bisedimeve. Pekini i ka dhënë Rusisë mbështetje politike dhe ka refuzuar të dënojë pushtimin duke portretizuar SHBA-në dhe NATO-n si shkaqet kryesore të krizës.

Perëndimi është gjithashtu i shqetësuar se Kina mund të ofrojë mbështetje materiale për Rusinë ose të ndihmojë Moskën të shmangë sanksionet e rrepta perëndimore. Pritshmëritë përpara bisedimeve ishin të ulëta. Asnjë rezultat konkret, deklarata të përbashkëta apo konferenca shtypi nuk janë planifikuar dhe as Covid-19 dhe as ndryshimet klimatike nuk janë në agjendë.

Kina, e fokusuar te eksportet është në një bllokim. BE-ja është tregu më i madh i Kinës pas SHBA-së dhe ekonomia e saj është më e madhe në krahasim me ekonominë ruse, që është e barabartë në madhësi me ekonomitë e Belgjikës dhe Holandës së bashku.

”BE synon të theksojë këtë pabarazi”, thanë zyrtarët. Megjithatë, Kina dhe Rusia janë partnerë strategjikë të vendosur për të përmbysur rendin global. Të mërkurën, Kina tha se ky bashkëpunim “nuk kishte kufij”. Marrëdhëniet BE-Kinë ishin të trazuara edhe para se të shpërthente lufta në Ukrainë.

Shqetësimet për të drejtat e njeriut në rajonin Xinjiang të Kinës çuan në sanksione të vogla që tronditën një marrëveshje të madhe investimi BE-Kinë. Grindja e Pekinit me Lituaninë për marrëdhëniet me Tajvanin është përshkallëzuar gjithashtu në një mosmarrëveshje tregtare në shkallë të plotë me BE-në në Organizatën Botërore të Tregtisë.