Zyra e përfaqësisë diplomatike të Bashkimit Evropian do të rihapet sot në Kiev, njoftoi shefi i politikës së Jashtme të BE-së Josep Borrell gjatë një udhëtimi me tren për në kryeqytetin ukrainas.

Borrell dhe presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, si dhe kreu i delegacionit të BE-së në Ukrainë, Matti Maasikos janë nisur me tren drejt Kievit.

Maasikos pritet të rifillojë detyrën e tij në kryeqytetin ukrainas me një personel të vogël. Përfaqësia e BE-së u evakuua plotësisht një ditë pas fillimit të luftës ruse ne Ukrainë.

Borrell njoftoi gjithashtu se BE-ja do të sigurojë 7.5 milionë euro (8.15 milionë dollarë) për hetimin që po kryen Ukraina për krime të mundshme lufte në periferi të Kievit, Bucha dhe vende të tjera.

Borrell shprehu besimin se vendet e BE-së së shpejti do të bien dakord me propozimin e tij për t’i ofruar Ukrainës një ndihmë financiare shtesë prej 500 milionë euro për të mbështetur forcat e armatosura në luftën e tyre kundër ushtrisë ruse.

Kjo do të rriste fondet në dispozicion në 1.5 miliardë euro.