Nga Jakin Marena

Partia Demokratike nuk po gjen qetësi, megjithëse është në vigjilje të Kuvendit Kombëtar të 30 prillit të thirrur nga Berisha e grupi i tij i “Rithemelimit”, që ka pushtuar selinë e demokratëve buzë Lanës dhe po rrëzon një nga një të gjitha “kështjellat” e Bashës në degët e rretheve.

E mbërthyer keqaz nga përplasja mes Berishës dhe Alibeajt, përsa i përket lëvizjeve të politikës së ditës, nga kundërshtitë për zgjedhjet e krerëve të degëve ku po garojnë dhe fitojnë vetëm kandidatët e “Rithemelimit” e deri te ndarjet në mbledhjet e grupit parlamentar, PD po bën një hap para dhe dy prapa në përpjekjet e saj për t’u ringritur.

Më i stresuar nga kjo situatë pa krye duket se është Sali Berisha, i cili tërë mllefin e tij kërkoi ta shfrynte gati një javë më parë në podiumin e Parlamentit të Shqipërisë teksa shtyu dhe largoi dhunshëm kreun e PD, Enkelejd Alibeajn, për të mos e lënë të flasë.

Askush nuk e beson se ka qënë një inat i momentit ky reagim i fortë i Berishës, madje në publik. Të gjithë janë të bindur se reagimi i dhunshëm i Berishës është fryt i një akumulimi ditë pas dite të mllefit ndaj kreut të grupit të PD, që në ndryshim nga Basha që fliste vetëm jashtë pranisë së liderit historik, Alibeaj ia thotë në sy Berishës se “je person ‘non grata’ i shpallur nga SHBA dhe me njerëz të tillë PD s’ka të ardhme”, apo që nuk e konsideron fare pjesëtar të grupit parlamentar të PD, por si një njeri që hyn e del pa leje në mbledhje.

Me sa duket zemërimi i Berishës dhe humbja e logjikës ka ardhur për faktin se Alibeaj nuk ka marrë në konsideratë asnjë kërcënim të Berishës për të mos marrë pjesë në diskutimin dhe pse jo dhe në konsultimet për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës. Eshtë një qasje që nuk i shkon për shtat Berishës, i mësuar të operojë me strategjinë e tensionit politik, edhe për një çështje siç është zgjedhja e Presidentit dhe ku mazhoranca socialiste e udhëhequr nga Edi Rama, në fund të herës i ka votat për ta bërë vetë mirë e bukur një gjë të tillë, pa asnjë kompleks nëse e zgjedh nga kontributorë apo ish kontributorë të saj.

Logjika e Berishës ka rënë “përtokë” në shfrimin ndaj Alibeajt dhe për faktin se kryetari i komanduar i PD i ka qëndruar në mënyrë konsistente kërkesës së tij në Gjykatën e Apelit për të hedhur poshtë vendimin e gjyqtarit Zhukri që i dorëzoi me vendim gjykate PD-në Sali Berishës.

Në pamundësi për të ushtruar diktatin e tij mbi të gjithë drejtësinë shqiptare, me sa duket e ka parandjerë marrjen e një vendimi të padëshirueshëm nga ana Gjykatës së Apelit, i cili mund të zhbëjë vendimin e Zhukrit për kuvendin e 11 dhjetorit 2021, për ta kthyer gjithë situatën në pikën e nisjes, pikërisht në kohën kur palët ishin ende në luftë për lidershipin e partisë, Berisha nga njëra anën shfryhet mbi Alibeajn që po qëndron fort në idetë e tij që prej fillimit, por dhe lëshon kërcënime të forta ndaj gjykatës për të përfituar prej saj një vendim pozitiv për të.

Katandisja e PD nëpër dyert e gjykatave, të cilat nuk e kanë për gjë ta postojnë pa fund çështjen herë në një derë e herë në një tjetër, tregon qartë se demokratët do të vijojnë jo vetëm të jenë të papërgatitur për ballafaqimin e parë të radhës në zgjedhjet e përgjithshme për pushtetin vendor në pranverën e 2023-it, por dhe të bierren në atë far feje, sa të shkojë e partia drejt shkrirjes.

Sepse askush nga elektorati gri apo ai i paparti, nuk mund të rrezikojë të zgjedhë lidership qeverisës të Shqipërisë një parti e cila për lidershipin e vet jo vetëm që nuk bie dakord, por i është drejtuar gjykatës duke mbetur “peng” për periudha të gjata kohore në dyert e drejtësisë.

Teksa i rikthehemi faktit të daljes jashtë “binarëve” normalë të Berishës në sulmin e dhunshëm që i bëri Alibeajt në podiumin e Kuvendit, ajo që kanë kuptuar të gjithë shqiptarët është se PD me Berishën lider nuk do të njihet dhe mbështetet asnjëherë nga partnerët tanë ndërkombëtarë.

SHBA e deklaroi hapur një gjë të tillë dhe dy tre ditë më parë, teksa ambasadorja Yuri Kim dënoi veprimin e dhunshëm të Berishës ndaj Alibeajt në podiumin e Kuvendit, duke treguar se “markimi” i liderit historik të PD nga Uashingtoni është tepër i rëndë dhe në çdo hap.

Përmendja e Berishës si minues i demokracisë, por dhe deklarimi dhe njëherë i vendosmërisë së SHBA për të luftuar korrupsionin, të shoqëruar dhe me paralajmërimin që të mos përsëriten më veprime të tilla publike, është një paralajmërim i qartë se SHBA jo vetëm që nuk e duan Berishën por do bëjnë çmos që ai të mos ketë asnjë shans për të marrë lidershipin e opozitës në Shqipëri. Njëherësh, deklarata e DASH pro Yuri Kim, i ka vënë “vulën” sërish gjithçkaje.

Dhe Berisha, teksa ka pranuar në mënyrë direkte se gjyqi në Paris kundër Blinken është një mashtrim për demokratët dhe për shqiptarët, pasi ai nuk mund të gjykohet nga drejtësia franceze pa tagër gjykimi jashtë vendit, por as nuk mund të preket sepse ka imunitet si sekretar shteti, por dhe teksa ka parë se amerikanët nuk po lënë asnjë hapësirë për të, as që të mendojë ndonjëherë se mund të ketë mbështetjen e tyre, bën si i prekur, si i adhnuar por dhe u rikthehet letrave anonime dhe peticioneve në drejtim të DASH kundër ambasdadores Yuri Kim. E cila sipas tij po ndërhyn në punët e brendshme të PD, të vendit dhe shqiptarëve në përgjithësi.

E habitshme është se pse Berisha nuk nxjerr mësime nga aleati mik-armiku i tij Ilir Meta, i cili nuk la letër e peticion pa dërguar në DASH kundër ish ambasadorit Donald Lu, me pretendimin se ka kërkuar ta vendosë në pranga por “heroi” Adriatik Llalla kishte refuzuar, letra e peticione që nuk preken asnjë fije “floku” të ish ambasadorit në fjalë.

Përkundrazi, pasi konsumoi mandatin më të gjatë si ambasador në Shqipëri, përtej mandatit zyrtar dhe pas një mandati si përfaqësues i SHBA në Kirgistan, tashmë është emëruar në një post shumë të lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Por shpjegimi është i qartë: Një njeri në hall është në gjendje të kapet dhe pas fijes së barit për të shpëtuar dhe për këtë arsye kërkon të “hallakatë” mendjet e demokratëve të paktën, sa tek “armiku” e “kulaku” Alibeaj, tek “armikja” e përhershme Yuri Kim që i ka zënë “hisen e diellit” Berishës për të parë qartë dhe për t’u mbështetur nga Uashingtoni.

Duke ushqyer shpresën se me ardhjen e republikanëve në pushtet në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA, dhe vendimi për shpalljen “non grata” ndaj Berishës do të zhbëhet.

E vërteta është se linja e politikës së jashtme, asnjëherë nuk ka ndryshuar me ndryshimin e pushteteve në SHBA, aq më tepër kur bëhet fjalë për vende të vogla e periferike si Shqipëria. Megjithëse gjithçka është e pashpresë për Berishën, pasi ndonëse vendimi për shpalljen e tij “non grata” i ra për “hise” ta jepte sekretari Blinken i administratës së demokratit Biden, si dosje ishte kopsitur nga ana e administratës së republikanit Trump.

Në këtë situatë vërtet të rëndë gjendet PD, ku lideri i saj historik që zotëron dhe pjesën më të madhe të anëtarësisë së kësaj partie është nën një “markim” të fortë nga SHBA, pa asnjë shans bashkëpunimi, nga ana tjetër ka një kryetar të komanduar dhe kryetar grupi si Alibeaj që s’ka mbështetje në anëtarësi, i vetmi “trashëgim” që i la paraardhësi i tij Lulzim Basha, por mbetet me sytë nga Apeli për të rimarrë vulën e PD.

Megjithëse një situatë e tillë i volit si Berishës, që është dhe përballë akuzave nga drejtësia dhe vijimi sa më gjatë i destabilizimit të PD i krijon atij një mburojë politike, pasi bën si kryetar duke mbajtur nën kontroll anëtarësinë por pa pasur në dorë zyrtarisht çelësat e drejtimit që të kthehet tamam në një “tabelë” për kundërshtarët dhe partnerët, ashtu dhe Alibeajt për të shpikur ndonjë mundësi që të marrë vetë drejtimin e PD. Ata që humbin janë demokratët, që do të vijojnë të qëndrojnë në opozitë dhe për mandate të tjera.