Ish-kryeministri Sali Berisha e konsideron 11 Dhjetorin e vitit 2021 si ditëlindjen e dytë të Partisë Demokratike. Në Kuvendin që u zhvillua atë ditë, Berisha tha, se rilindi PD-ja.

“Krenarë sepse pas një eksperience patëm një ditëlindje të dytë më 11 Dhjetor të vitit 2021 në një Kuvend historik rilindi përsëri PD. Kjo parti nuk vdes kurrë. Ajo jeton dhe do jetojë në idealet më fisnike të lirisë së shqiptarëve. Ju e rithemeluat atë sepse doni të fshini nga faqja e dheut regjimin e bazuar në krimin, drogën, urrejtjen ndaj shqiptarëve”, tha Berisha.

Lideri historik i demokratëve u shpreh se demokratët u rithemeluan për të mbrojtur interesin kombëtar të shqiptarëve. Ky interes, Berisha thotë se është nëpërkëmbur nga Edi Rama, të cilin e konsideron “një albanofob bastard i nomeklaturës së vjetër komuniste”.

“Ne u rithemeluam sepse donim të vendosur të mbrojmë interesin kombëtar të shqiptarëve të nëpërkëmbur nga një albanofob bastard i nomeklaturës së vjetër komuniste që shkelmon mbi dinjitetin dhe qenien e interesave shqiptare, Edi Rama”, u shpreh Berisha.