“Vendi ka nevojë për opozitë dhe të orientohet nga e ardhmja”, ky ishte mesazhi që ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë, Peter Zingraf tha për ‘luftën’ që po zhvillohet brenda PD, ku një person ‘non grata’ si Sali Berisha tenton të vendoset në krye të partisë. Nga Korça, ambasadori Zingraf tha në një intervistë për Report Tv se PD duhet të zhvillojë procese transparente dhe ligjërisht të pastra para se të zgjedhë udhëheqësin e saj dukë lënë të kuptohet se duhet pritur edhe vendimi i Apelit lidhur me vendimin e gjykatës së Tiranës që miratoi statusin e Berishës.
Zingraf tha se pasi është bërë transparencë e plotë duhet të zgjidhet një udhëheqës i orientuar drejt së ardhmen dhe të kthehet në një opozitë të fortë që do të kontrollonte qeverinë.
PD ndodhet në një krizë të thellë përçarëse mes demokratëve ku pas vendimit të gjykatës Berisha ‘ non grata’ nga SHBA, ka marrë kontrollin e selisë blu dhe sillet si lideri i saj, duke i zbehur të gjitha rolet Komisionit të Rithemelimit, që e ngriti me pretekstin për të drejtuar partinë dhe zhvilluar procese demokratike brenda PD për zgjedhjen e strukturave të reja.
Ambasadori gjerman foli edhe për vendimet e SHBA për personat e shpallur ‘non grata’ dhe akuzat që bëhen ndaj ambasadorëve.
Si e vlerësoni situatën në PD, a duhet të qëndrojë një person ‘non grata’?
Në fakt përgjigja ime do duhej të kishte qenë këto janë çështje të brendshme të një partie rreth të cilave nuk do të duhej të shprehesha. Por më duhet të them gjithsesi diçka rreth kësaj sepse kemi të bëjmë me të ardhmen politike të një partneri të ngushtë sikurse është Shqipëria për Gjermaninë. Çdo vend i cili kërkon të ketë një sistem demokratik funksional do duhet të ketë gjithashtu dhe një opozitë të fortë e cila do duhet të shërbente për kontrollin e qeverisë sepse në fund të fundit zgjedhësit do duhet të kenë alternativen e duhur. Ndaj do dëshiroja shumë që PD të mund të rigjente në njëfarë mënyre veten sepse kjo do të ishte e rëndësishme për vendin pasi vitin e ardhshëm kemi zgjedhje. Do doja gjithashtu që e gjitha kjo të ndodhte në kuadër të proceseve transparente dhe nga pikëpamja juridike të pastra dhe që partia të mund të gjejë një udhëheqje të sajën e cila të jetë e orientuar nga e ardhmja dhe të mund të arrije të bëjë gjithçka çka do duhej të bënte një opozitë dhe më së fundi të flitej rreth përmbajtjeve e jo rreth personave.
Departamenti i shtetit ka shpallur ‘non grata’ dhe emra të tjerë të njohur si Aqif Rakipi dhe Ylli Ndroqi. Si mendoni çfarë ndikimi kanë në imazhin e Shqipërisë?
Në fakt këtë nuk do dëshiroja ta komentoja! Më takon vetëm të them që për Republikën Federale nuk i përdor instrumente të tilla. Ne përdorim disa regjime të caktuara sanksionesh të dakordësuara paraprakisht sikurse është në rastin e Rusisë për të deklaruar persona të caktuar si ‘non grata’ të cilëve u ndalohet hyrja në Gjermani. Në këtë formë nuk e përdorim këtë lloj instrumenti dhe nuk do dëshiroja të komentoja vendimin e qeverisë amerikane.
Shpeshherë diplomatë të huaj janë vënë në shënjestër dhe janë akuzuar se po ndërhyjnë në sistemin e drejtësisë. Ju si e vlerësoni?
Unë nuk kam koment për këtë, personalisht nuk jam ndjerë ndonjëherë i tematizuar lidhur me këtë problematikë.