Nga Mero Baze/

Ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës nga një kompani amerikane, si dhe kontraktimi me palën amerikane i dy anijeve që prodhojnë energji pranë TEC të Vlorës, për të përballuar krizën energjetike, janë vënë në qendër të sulmeve të Sali Berishës, në takimin e tij me disa ish- klientë të vajzës dhe djalit të vet, që kanë pas përfituar licensa në fushën e energjisë gjatë kohës që ishte në pushtet.

Retorika e Berishës kundër hidrocentralit të Skavicës lidhet vetëm me faktin se ai tani është investimi më i madh që qeveria shqiptare ka kontraktuar me një kompani amerikane. Vet Berisha kur ka qenë kryeministër, por dhe më parë president, ka qenë mbështetës i madh i projektit të Skavicës, i cili stabilizon regjimin hidrik në kaskadën e Drinit dhe rrit efiçencën e përdorimit të ujit të Drinit për prodhim gjithë vjetor. Natyrisht që ndërtimi ka koston e tij sa i përket përmbytjeve, por ky nuk ka qenë problem për Berishën kur e mbështeste këtë projekt.

Asgjë nuk ka ndryshuar nga projekti i Skavicës, përveç faktit se që nga koha që e premtonte Berisha dhe derisa po bëhet realitet, Berisha ka kaluar nga kryeministër në “person non grata” familjarisht nga SHBA. Dhe ky ndryshim e ka bërë atë tanimë një kundërshtar të madh të këtij projekti, vetëm se ai po zbatohet nga një kompani amerikane. Dhe të mendosh që fjalimin e mbante para disa ish- klientëve të vet, që u ka dhënë licenca për të shkatërruar me HEC-e të vegjël parqe kombëtare si Valbona, e kupton dhe më qartë se pse SHBA është arsyeja e vetme që ai kishte dalë të mallkonte investimet e reja në energji, që orientohen nga një lidhje më e fortë me SHBA.

E tillë është dhe beteja e tij ndaj dy anijeve që do të furnizojnë me energji elektrike Vlorën, të cilat janë një zgjidhje emergjente, në pritje të ndërtimit të HEC-it të Vlorës, që Berisha e nisi me korrupsion më 2007 dhe e la të prishur pa punuar asnjë ditë, pasi harxhoi rreth 140 milion euro.

Njeriu që ka ndërtuar TEC me naftë në gjirin e Vlorës tani akuzon qeverinë pse ka sjellë dy anije të prodhojnë energji elektrike, për shkak të emergjencës se “mos ndotin mjedisin”. E vetmja arsye është se kontrata është njoftuar nga ministrja Balluku nga SHBA. TEC-i i prishur i Berishës, për të cilin u investuan qindra milionë euro pa punuar asnjë ditë, tashmë do të shndërrohet në TEC me gaz, për t’u vënë në punë përfundimisht, po ashtu me asistencë amerikane, dhe ky ishte shqetësimi i tretë i tij. Kishte shpikur pse qeveria nuk ka çuar gaz tek TEC, që ta vinte në punë.

E para, lidhjen nga Semani në Vlorë me gaz Berisha nuk e kishte fare në projektin e TAP dhe kodin e rrjetit për TEC e ka krijuar “Albgazi” më 2017, ndërsa TEC-i ende nuk është kthyer me gaz, pasi po përpiqet të çmontohet gërmadha e Sali Berishës, që ka kushtuar qindra milionë euro, pa punuar asnjë ditë. Pas kësaj ky TEC do të mund të punojë me gazin e lëngët amerikan që do të ofrohet, në pritje që Shqipëria të ketë të drejtë të marrë gaz nga TAP, për shkak të kontratës kriminale të Sali Berishës, që nuk na jep të drejtë të përdorim gazin e TAP për nevojat tona.

Përpjekja e tij për të fshehur kundërshtimin për gazin amerikan LNG, me oferta që kishte marrë përmes klientëve të studios së vajzës për gaz nga Katari apo shpikje të tjera të tij, rrezatonin vetëm një shqetësim të tij, shqetësimin që Shqipëria po orientohet nga investime në energji, nën ndikimin e SHBA, si në fushën e prodhimit të energjisë nga uji, ashtu dhe nga gazi i lëngët apo TEC. Dhe kjo e dëshpëron Berishën, jo se do jemi të sigurtë apo të pasigurtë për t’u furnizuar me energji, por se do ta ketë “armikun e tij mbi kokë gjithë jetën dhe pas jetës, për pasardhësit e tij. Për kaq se tret as varri.