Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i ka kërkuar presidentit amerikan, Joe Biden të vizitojë Ukrainën ndërsa ka deklaruar se ai nuk do ta lërë në duart e Rusisë atdheun e tij për t’i dhënë fund luftës

Në një intervistë të zgjeruar për CNN Zelensky theksoi se ai mendon që Bideni dëshiron ta vizitojë Ukrainën, edhe pse sipas Zelenskyt kjo varet nga vetë presidenti amerikan.

“Është vendimi i tij, natyrisht dhe kjo varet nga situata e sigurisë. Por unë mendoj se ai është lideri i Shteteve të Bashkuara dhe kjo është arsyeja pse ai duhet të vijë këtu për të parë nga afër Ukrainën”, u shpreh presidenti ukrainas.

Biden u tha gazetarëve të enjten se SHBA do të vendoste së shpejti nëse do të dërgonte një zyrtar të lartë në Ukrainë si një shenjë mbështetjeje, por burimet theksuan për Reutersin se administrata po shqyrtonte sekretarin e mbrojtjes Lloyd Austin ose sekretarin e Shtetit Antony Blinken si dy alternativa për të vizituar Ukrainën.