Presidenti amerikan Joe Biden foli për një “gjenocid” në Ukrainë në lidhje me abuzimet e supozuara nga ushtarët rusë gjatë fushatës së tyre në vendin fqinj.
I pyetur pse e përdori fjalën gjenocid, Biden u tha gazetarëve se “është bërë gjithnjë e më e qartë se Putini thjesht po përpiqet të fshijë idenë e të qenit ukrainas”.
“Provat po shtohen. Është ndryshe nga ajo që ishte javën e kaluar. Rusët po bëjnë gjëra të tmerrshme në Ukrainë”, shtoi Biden. Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vlerësoi fjalët e Biden si ”fjalë të vërteta nga një udhëheqës i vërtetë”.
”Jemi mirënjohës për ndihmën amerikane të ofruar deri më tani dhe ne kemi nevojë urgjente për armë më të rënda për të parandaluar mizoritë e mëtejshme ruse”, theksoi Zelensky.