Tani që ushtria ruse është tërhequr nga Ukraina veriore, po bëhet gjithnjë e më e qartë, se sa e tmerrshme ka qenë vuajtja e popullsisë civile. Edhe në Borodjanka, pranë Kievit po nxirren shumë viktima.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka bërë fjalë për krime të tjera të trupave ruse në Ukrainë. Në qytetin e vogël Borodjanka afër Kievit, ku është filluar me heqjen e rrënojave, gjendja është “shumë më e tmerrshme” se në Butsha, është shprehur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, sipas të dhënave të veta, në një mesazh me video. Por nuk dha detaje.
Pamjet nga Butsha para pak ditësh, ku u zbuluan qindra viktima pas tërheqjes së trupave ruse shkaktuan tronditje të madhe ndërkombëtare. Ukraina bën përgjegjëse për masakrën trupat ruse. Moska e hedh poshtë këtë.
Prokurorja e Përgjithshme e Ukrainës, Iryna Venediktova ka bërë të ditur, se vetëm nga dy godina të shkatërruara aty janë nxjerrë 26 viktima. Se sa viktima ka është ende e paqartë-. Në bazë të të dhënave të mëparshme të prokurorisë ukrainase, viktimat më të shumta gjenden në territorin e Kievit. Venediktova u shpreh, se çdo krim lufte dhe krime kundër njerëzimit do të dokumentohen dhe përgjegjësit do të nxirren para drejtësisë. Në Borodjanka është konfirmuar edhe dhunë seksuale, thotë prokuroria ukrainase.
Zelensky në videomesazhin e tij shtron pyejen, se çfarë do të ndodhë, kur bota të marrë vesh, se çfarë kanë bërë trupat ruse në Mariupol. Aty gjen “gati në çdo rrugë” atë që bota e pa pas tërheqjes së trupave ruse në Butsha.
Të dhënat për zhvillimin e luftës, bombardimet dhe viktimat ofrohen nga palët në konflikt dhe nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur në gjendjen aktuale.
Ndërkohë Kremlini gjashtë javë pas luftës ka pranuar humbje të madhe trupash në radhët e veta. “Kemi humbje të ndjeshme, kjo është një tragjedi e madhe për ne”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov për televizionin britanik, Sky News. “Ky është një operacion shumë serioz me pasoja të rënda.” Së fundmi Rusia ka bërë fjalë për 1351 ushtarë të vrarë. Ukraina flet për rreth 19.000 ushtarë të vrarë rusë.
Scholz: “Duhet një armëpushim”
Kancelari gjerman, Olaf Scholz edhe një herë ka kërkuar nga presidenti Putin të ndalë sulmet në Ukrainë. “Kjo luftë duhet të ndalet menjëherë. Duhet një armëpushim, dhe Rusia duhet të tërheqë trupat nga Ukraina”, deklaroi kancelari në Berlin.
BE miratoi të enjten paketën e pestë të sanksioneve kundër Moskës. Scholz e quajti këtë paketë “një hap të madh dhe vendimtar përpara”. 27 vendet anëtare të BE ranë në ujdi edhe për embargon e qymyrit, drurit dhe vodkës. Po ashtu portet europiane do të mbyllen në masë të madhe për anijet ruse dhe do të vendosen masa shtesë kundër bankave ruse.