Sulmet me artileri dhe sulmet ajrore kanë vazhduar përgjatë vijës së kontrollit në Donbas, tha inteligjenca ushtarake britanike më 7 prill.

Ministria britanike e Mbrojtjes tha se përqendrimi kryesor i forcave ruse ishte që të shtyjë përpara një ofensivë në lindje të Ukrainës, ku gjendet rajoni Donbas.

Teksa Rusia është tërhequr nga pjesët veriore të Ukrainës dhe është përqendruar në pjesën lindore, përpjekjet për evakuim të banorëve nga këto zona po vazhdojnë më 7 prill.

Sipas zyrtarëve ukrainas, mbi 1,200 persona janë evakuuar nga rajoni Luhansk të mërkurën, ndërsa evakuimet më pas janë penguar nga luftimet.

Që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, sipas Kombeve të Bashkuara, mbi 11 milionë persona janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre për shkak të luftimeve.