Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Gjermani ku do të zhvillojë një vizitë dy ditore me ftesë të kancelarit gjerman Olaf Scholz. Rama është kryeministri i parë në Ballkanin Perëndimor që zhvillon me ftesë zyrtare të kancelarit të ri.
Rama do të takohet edhe me zyrtarë të lartë të politikës gjermane. Gjatë vizitës kryeministri shoqërohet nga Taulant Balla, Delina Ibrahimaj dhe Elisa Spiropali.
Pritja që i është bërë Ramës në momentin e mbërritjes, është shpërndarë nga ky i fundit në rrjetet sociale. Në Bundestagu ku ndodhet edhe gazetari i Report Tv, Ermal Qori ka zbardhur edhe axhendën e kryeministrit.
Rama mbërriti në orët e pasdites në Berlin, ndërsa përgjatë ditë së nesërme do të zhvillojë takime me kryetaren e bashkisë së Berlinit, Franziska Giffey, Presidentin Federal i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier, si dhe me kancelarin gjerman Olaf Scholz.
Mësohet se fokusi i diskutimit mes Ramës dhe Scholz do të jetë integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, lufta në Ukrainë dhe kriza e shkaktuar prej saj, si edhe çështje të tjera ekonomike dhe të politikës mes dy vendeve.
Pas takimit, Rama dhe Scholz do të kenë një konferencë të përbashkët për shtyp me median, ndërsa fill pas saj, Rama do të ketë një deklaratë për mediat Shqiptare.