Presidenti i Indonezisë mund të ketë organizuar takimin e parë të mundshëm që nga fillimi i luftës, midis presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe presidentit rus Vladimir Putin.
SkyNews raporton se Indonezia aktualisht kryeson G20-ën, grupin e ekonomive kryesore dhe presidenti i saj Joko Widodo ka ftuar Zelensky dhe Putin në samitin e liderëve në muajin nëntor.
Presidenti i Indonezisë është përballur me presion nga vendet perëndimore për ta përjashtuar liderin rus, por ai tha se donte të “bashkonte” G20-ën.
Jokowi, siç njihet zakonisht presidenti indonezian, foli së fundmi me Zelensky dhe hodhi poshtë kërkesën nga Ukraina për armë, ndërsa politika e jashtme e këtij shteti të Azisë Juglindore përpiqet të ruajë neutralitetin strategjik.
Në një deklaratë në internet, Jokowi tha se ai i kishte deklaruar presidentit ukrainas shpresën e tij se “lufta mund të përfundojë së shpejti dhe zgjidhjet paqësore mund të arrihen përmes negociatave”.
Ukraina nuk është anëtare e G20, por aty ka dhe “karrige bosh për vende mysafire”.
Një zyrtar i lartë i qeverisë ukrainase tha se pjesëmarrja e Zelenskyy do të “varet kryesisht nga situata në fushën e betejës”.
Jokowi tha se Putin ka planifikur të marrë pjesë, por Kremlini tha se kjo nuk ishte vendosur ende.